Ndërlidhjet

ANALISTËT: PRISHTINA DUHET TË PRESË SINJALIN E KS-SË


Arton Konushevci

Institucionet e Kosovës duhet ta ruajnë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk duhet të marrin vendime të njëanshme për shpalljen e pavarësisë, thonë analistët kosovarë. Ata konsiderojnë se institucionet e reja të Kosovës duhet të konstituohen me kohë. Analisti Ramush Tahiri thotë se duhet pritur edhe pak kohë, për të parë se si do të veprohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pas shqyrtimit të raportit të Treshes ndërmjetësuese rreth statusit të Kosovës, e pastaj të ndërmerren veprime konkrete nga pala kosovare. “Tash do të vazhdojnë procedurat në Këshillin e Sigurimit dhe do të shihet se çfarë do të sjellë Këshilli i Sigurimit, a do të ketë ndonjë udhëzim apo preferencë të caktuar, se si do të vazhdojnë më tej negociatat nëse përcaktohet, ose si do të arrijnë ta ndërrojnë rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe ta ndërrojnë misionin e UNMIK-ut me mision të Bashkimit Evropian në Kosovë”, u shpreh Tahiri. Ai vlerëson se deri në vendimet e ardhshme të Këshillit të Sigurimit për statusin e Kosovës, udhëheqësit politikë duhet ta bëjnë konstituimin e institucioneve të reja, që, siç thotë ai, të mos ketë vakuum institucional. “Institucionet e Kosovës duhet t’i konstituojnë organet, në mënyrë që të mos ketë vakuum institucional. Duhet të mblidhet Kuvendi i Kosovës; unë shpresoj që kjo të bëhet para datës 20 dhjetor, kur fillojnë festat, përndryshe do të mbetet në janar çështja për t’u zgjidhur. Gjithashtu, pres që të zgjidhet edhe Qeveria e Kosovës dhe të ketë legjitimitet dhe legalitet të ri të përfaqësimit të popullit të Kosovës në çështjet që janë me rëndësi për statusin e Kosovës”, tha Tahiri. Krijimi i institucioneve të reja të Kosovës në kohën e paraparë do të ishte kulturë demokratike dhe shtet-formuese; Kosova do të ishte një partnere e mirë me bashkësinë ndërkombëtare, thotë Ramush Tahiri. Edhe analisti tjetër kosovar, Lulëzim Peci, mendon se institucionet e reja të Kosovës duhet të formohen në një periudhë sa më të shpejtë. “Institucionet e Kosovës kanë dy çështje, për të cilat duhet të bëhen gati, pra të përgatiten për menaxhimin e situatës në aspektin e brendshëm dhe të punojnë sa më tepër në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, për rritjen e përkrahjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës prej sa më shumë shteteve”, tha Peci. Analistët mendojnë se deklaratat për përshkallëzim të situatës janë reale. Ramush Tahiri thotë se shkas mund të jetë shpallja e njëanshme. Ndërkaq, Lulëzim Peci thotë se një nga sinjalizimet e përshkallëzimit të situatës shihet edhe incidenti në Gorazhdec. “Reale janë pritjet për përshkallëzim të situatës. Tash është niveli i përshkallëzimit në pyetje. Mirëpo, që kjo punë do të jetë e lehtë dhe që nuk do të kemi protesta ose incidente të natyrave të ndryshme, do të ishte ëndërr. Vetë incidenti i fundit në Gorazhdec tregon indikacione se deri ku mund të arrijë përshkallëzimi i situatës”, tha Peci. Sot, zyrtarisht përmbyllet faza shtesë e negociatave për statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG