Ndërlidhjet

SEJDIU E RUECKER KËRKOJNË NDALJEN E PROVOKIMEVE SERBE


Albana Isufi

Pas UNMIK-ut, edhe institucionet e Kosovës kanë shprehur shqetësimin për hapjen e zyrës së Ministrisë për Kosovën në veri të Mitrovicës. Presidenti Fatmir Sejdiu e ka quajtur këtë akt provokues, i cili përveç që shkel Rezolutën 1244, është në kundërshtim edhe me marrëveshjen që Beogradi ka arritur me Treshen, për të shmangur dhunën dhe provokimet. “Ajo që bën Beogradi, le të përballet me ata që ua ka dhënë fjalën se nuk do të ndodhë. Ne e kemi pasur përkushtimin e tyre të deklaruar në takimin e fundit me Treshen ndërkombëtare dhe fatkeqësisht pas këtij deklarimi, ka pasur deklarata të ndryshme nga zyrtarë të tyre. Por, është shumë me rëndësi, që bashkësia ndërkombëtare t’ua përkujtojë qasjen dhe qëndrimin që kanë pasur”, tha presidenti Sejdiu. Hapja e zyrës së Ministrisë serbe në Mitrovicë ka qenë një ndër çështjet që është diskutuar në takimin mes presidentit Sejdiu dhe shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Presidenti Sejdiu ka thënë se sado që ky veprim paraqet provokim, situata e sigurisë në veri nuk guxon të përshkallëzohet. “Unë kam shprehur shqetësimin për një akt të tillë. E ndajmë me zotin Ruecker këtë shqetësim. Mendojmë se do të merren vendime të duhura në këtë drejtim. Mendojmë se ky akt, sado që është një provokacion i llojit të vet, nuk guxon ta hedhë Kosovën në binarë të abnormalitetit, ashtu siç do të dëshironin”, u shpreh presidenti Sejdiu. Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut ka përsëritur se do të kërkojë udhëzime nga Nju Jorku, lidhur me hapat që duhet ndërmarrë UNMIK-u lidhur me këtë çështje. “Unë konfirmova te presidenti se UNMIK-u konsideron që hapja e zyrës nuk është në përputhje me kornizën ligjore në Kosovë, që është në kundërshtim me Rezolutën 1244. I kam kërkuar zëvendësit tim që të shkojë në Mitrovicë dhe t’ia bëjë me dije këtë ministrit Sllobodan Samarxhiq dhe ai e ka bërë këtë. Ne tash do të kërkojmë udhëzime nga Nju Jorku dhe po ashtu do të konsultohemi me Grupin e Kontaktit për këtë hap, i cili duket të jetë i kalkuluar dhe, siç thashë, është shkelje e 1244-shit”, tha Ruecker. Ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, përveç që ka hapur zyrën e tij në veri të Kosovës, dje ka vizituar edhe disa vendbanime serbe, ku ka deklaruar se Kosova do të mbetet gjithmonë pjesë e Serbisë. Samarxhiq ka thënë po ashtu se në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, Serbia do t’i institucionalizojë strukturat paralele në vendbanimet e banuara me serbë në Kosovë. Presidenti Sejdiu thotë se pavarësia do të jetë e implementueshme në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa, deklarata e Samarxhiqit, sikurse edhe ajo e presidentit Tadiq, se Serbia do të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta japë mendimin rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, tregojnë për përpjekjet e fundit të shtet serb që ta pengojë pavarësinë. “S’dua të interpretoj deklaratat e tyre. Serbia ka dashur gjithnjë t’i prolongojë proceset. Tash mund të jetë sipas qasjes së saj, se nuk ka derë tjetër, pavarësia e Kosovës do të realizohet. Prandaj, për ne është me rëndësi që ta mbajmë këtë dinamikë tonën dhe pavarësia do të bëhet realitet”, tha presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, përfaqësues të serbëve të Kosovës mirëpresin hapjen e zyrës në Mitrovicë, duke konsideruar se ajo nuk shkel Rezolutën 1244. Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb, pret përforcim të institucioneve të Serbisë në Kosovë. “Mendoj se nuk ka asgjë për t’u diskutuar dhe është reagimi më normal i shtetit të Serbisë, që të hapë zyrë që përfaqëson Qendrën Koordinuese në Mitrovicë. Mendoj se lokaliteti është zgjedhur mirë dhe secila enklavë serbe duhet të jetë e përfshirë në mënyrë të barabartë në punën e kësaj zyre. Po ashtu, mendoj se s’ka asgjë më normale se deklaratat e Samarxhiqit, se nëse shqiptarët shpallin pavarësinë, Serbia do ta përforcojë maksimalisht institucionalizimin e saj në Kosovë”, tha Joviq. Ministria serbe për Kosovën nuk ka kërkuar leje nga UNMIK-u që ta hapë zyrën e saj në Mitrovicë. Zyrtarë të UNMIK-ut ua kanë tërhequr vërejtjen zyrtarëve serbë, që të mos provokojnë në këtë situatë të ndjeshme politike dhe t’i përmbahen marrëveshjes se do t’i shmangen nxitjes së dhunës, të nënshkruar në Baden të Austrisë.

XS
SM
MD
LG