Ndërlidhjet

KAIDANOW: “HYJNESHA NË FRON” – KUPTIM I THELLË PËR NJERËZIT E KOSOVËS


Bekim Bislimi

Eksponati arkeologjik “Hyjnesha në fron”, prej sot do të jetë i ekspozuar në Muzeun e Kosovës, në kuadër të projektit “Kosova arkeologjike” dhe atë mund ta shohë çdokush që viziton këtë muze. Ekspozimin e këtij eksponati arkeologjik, i cili vlerësohet të jetë më i rëndësishmi i arkeologjisë në Kosovë, si dhe simboli i identitetit kulturor dhe historik të saj, e ka bërë të mundur Fondi Amerikan i Ambasadorëve, duke ofruar 30000 dollarë përmes zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, për ta ndihmuar restaurimin dhe konservimin e “Hyjneshës në fron”. Shefja e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tina Kaidanov, e ka cilësuar këtë si një nga ngjarjet kulturore të vitit në Kosovë. “’Hyjnesha në fron’ është një eksponat që ka një kuptim të thellë për shumë njerëz në Kosovë. Është kënaqësi e madhe që kemi mundur ta përkrahim këtë projekt kaq të rëndësishëm”, tha Kaidanov, duke shtuar se në kuadër të këtij projekti janë bërë edhe restaurime tjera në Muzeun e Kosovës. Ndërkaq, drejtori i Muzeut të Kosovës, Arbër Hadri, ka thënë se ndihma e Fondit Amerikan të Ambasadorëve si dhe e Zyrës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë për ekspozimin e “Hyjneshës në fron” si dhe ekspozitës “Kosova arkeologjike” ka rëndësi të veçantë dhe është pasqyrë e miqësisë së popullit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Prezantimi i ‘Hyjneshës në fron’ dhe ekspozitës ‘Kosova arkeologjike’ është edhe më me rëndësi, meqë kultivon edhe më shumë marrëdhëniet e shkëlqyeshme me aleatin dhe përkrahësin tonë kryesor, SHBA-të, që ishin përbri nesh që nga fillimi i shekullit XX, me presidentin Uilson, e më pastaj me presidentin George Bush, presidentin historik për ne, Bill Klinton dhe tani po ashtu me presidentin George Bush i ri, i cili është duke i dhënë përkrahjen e duhur popullit të Kosovës për pavarësinë e tij”, ka thënë Hadri. Ndërsa, kryetari i ri i Prishtinës, Isa Mustafa, po ashtu ka falënderuar Zyrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, për ndihmën e dhënë për realizimin e këtij projekti, ndërkohë që ka premtuar se një kopje e “Hyjneshës në fron” do të ekspozohet edhe në qendër të Prishtinës. “Unë shpresoj se gjatë këtij viti, ne një ‘Hyjneshë në fron’ do ta kemi në qendër të Prishtinës, aty ku edhe e ka vendin, në mënyrë që qyteti ta ketë simbolin e saj të ekspozuar në qendër dhe në mënyrë që ai të jetë vizion i së ardhmes sonë, sepse kemi premtuar që në qytetin e Prishtinës do ta bëjmë një ‘Hyjneshë në fron’, do të hapim horizonte të reja, do të thotë, të bëjmë një qytet bashkëkohor, në të cilin do të gjejnë vend vlerat kulturore të të gjithë neve që jetojmë këtu”, tha Mustafa. Zyrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë e ka falënderuar edhe ministri i Kulturës, Rinisë, Sportit dhe çështjeve jorezidente, Astrit Haraqia, i cili po ashtu ka theksuar këmbënguljen e institucioneve kosovare për kthimin e të gjitha eksponateve arkeologjike, të cilat gjatë luftës së fundit iu kanë rrëmbyer Kosovës. “Ngulim këmbë në të gjitha ato vlera që dikush i ka rrëmbyer më herët në Kosovë, sepse i takojnë këtij vendi dhe këtyre njerëzve. ‘Hyjnesha në fron’, sot, fuqishëm simbolizon identitetin tonë kulturor, lashtësinë antike të Dardanisë dhe nivelin qytetërues të Kosovës. Më lejoni që në mënyrë të veçantë ta falënderoj Zyrën Amerikane në Prishtinë, e cila, si gjithmonë, edhe kësaj here ishte përkrahëse e fuqishme e këtij projekti. Zyra Amerikane edhe herëve të tjera ishte mbështetëse e shumë projekteve kulturore dhe të tjera, të cilat i organizuan institucionet tona”, tha Haraqia. Sidoqoftë, ”Hyjnesha në fron” është një nga ekzemplarët e shumtë, të cilët, siç kanë pohuar edhe më parë autoritetet në Kosovë, i janë rrëmbyer Muzeut të Kosovës nga Beogradi, gjatë luftës së fundit. Këtë ekzemplar e ka kthyer në Kosovë në vitin 2002 ish-shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara, Michael Schteiner. Përkundër zotimeve të autoriteteve të Beogradit për kthimin e thesarit arkeologjik dhe etnografik të Muzeut të Kosovës, kjo deri më tash nuk ka ndodhur.

XS
SM
MD
LG