Ndërlidhjet

ANDERSON: SHPALLJA E PAVARËSISË SË KOSOVËS PAS ZGJEDHJEVE NË SERBI


Zijadin Gashi

Kosova mund të këshillohet nga ndërkombëtarët që të presë zgjedhjet presidenciale në Serbi, para se ta shpallë pavarësinë e saj, ka thënë sot shefi i Zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Alex Anderson. Ai e ka vlerësuar si moment shumë të rëndësishëm në procesin e pavarësimit të Kosovës mbi bazat e planit të Ahtisaarit mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, ku në deklarimet e tyre, shumica e vendeve mbështetën dokumentin e Ahtisaarit, përveç Rusisë. Kjo përkrahje ka mundur të rrezikohet, sikur mbledhja të ishte shtyrë pas vitit të ri, tha Anderson, duke aluduar në rotacionin që do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit. Ndërsa në raportin e para dy javëve ICG-ja kishte parashikuar që shpallja e pavarësisë së Kosovës të ndodhte në fund të majit, tani Anderson tha se nxjerrja e këtij akti mund të ndodhë më herët. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, sipas tij, mund të pasojë zgjedhjet presidenciale në Serbi, pasi që te Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ka drojë se shpallja e pavarësisë para zgjedhjeve mund të ndikonte që radikalët të vijnë në pushtet. “Fillimi i nxjerrjes së aktit të shpalljes së pavarësisë mund të fillojë shumë shpejt, pas raundit të dytë të zgjedhjeve në Serbi, që është caktuar për datën 3 shkurt”, tha Anderson. Një çështje që tani ka mbetur të diskutohet dhe vendoset, sipas tij, është edhe koha e shtrirjes së misionit të BE-së në Kosovë. “Mendoj se ka dy mendime lidhur me kohën e vendosjes së misionit të BE-së. Disa vende të Bashkimit Evropian mbështesin nxjerrjen paraprake të aktit të pavarësisë së Kosovës, para se ky mision të dislokohet në Kosovë. Por, ka vende tjera që druajnë nga vetoja e Qipros, në rast se Kosova shpall pavarësinë, kështu që preferojnë fillimin e dislokimit të misionit qysh nga javët në vijim”, tha Anderson. Analisti i ICG-së ka veçuar si sfidë edhe periudhën e tranzicionit, që nënkupton kalimin e kompetencave nga UNMIK-u te institucionet e Kosovës dhe te misioni i ri civil i BE-së. Bazuar në dinamikën e deritashme, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që tranzicioni të marrë më shumë kohë, sesa periudha katër mujore që parashihet me pakon e Ahtisaarit. Ndërkaq, nga dita e shpalljes së pavarësisë, sipas Andersonit, Kosova duhet të dëshmojë se po ndërton një shtet modern, që u përket të gjithëve. “Ditët dhe javët e para do të krijojnë ADN-në e shtetit të ri dhe ne duhet të sigurohemi që ky të jetë një ADN sa më i shëndoshë i mundshëm”, tha Anderson. Kjo, sipas tij, nënkupton që institucionet dhe liderët e Kosovës të dëshmojnë se shteti i Kosovës nuk paraqet kërcënim për serbët. Institucionet e reja, shtoi ai, duhet ta kenë të qartë se nuk do të mund ta shtrijnë pushtetin e tyre menjëherë në veri të Kosovës, pasi që atje do të vazhdojë një proces më i gjatë i zgjidhjes së krizës. Ndërkaq, masa të kujdesshme ai parashikoi se duhet të ndërmerren edhe në pjesët tjera ku jetojnë serbët. Sidoqoftë, Anderson ka parashikuar që muajt e ardhshëm të jenë muajt e shtetësisë së Kosovës, që do të përcillen me fazën e tranzicionit kah pavarësia e mbikëqyrur.
XS
SM
MD
LG