Ndërlidhjet

MOSKË


Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov tha se nuk është e pamundur vendosja e misionit të BE-së në Kosovë nëqoftëse ai do miratohej nga Kombet e Bashkuara dhe nga Serbia.
"Nëse Bashkimi Evropian dëshiron t'i zëvendësojë Kombet e Bashkuara në Kosovë, atëherë kjo nuk është një variantë e pamundur", tha Lavrov për mediat në Moskë. "Por, për ta bërë këtë, duhen plotësuar dy kushte: duhet të miratohet rezolutë e Këshillit të Sigurimit, dhe për këtë të ketë miratim nga Beogradi", tha shefi i diplomacisë ruse.
"Ne nuk do të donim që situata të shkojë drejt shpalljes së njëanshme të pavarësisë. Për këtë arsye ne theksojmë se rasti i Kosovës pashmangshëm do të jetë precedent. Përgjegjësia do të bjerë mbi ata, të cilët pa kurrfarë baze pohojnë se Kosova është rast unik dhe se diçka e tillë nuk mund të ndodhë askund në botë", tha Lavrov.
Ai gjithashtu tha se Rusia do ta përdorë veton ndaj çfarëdo përpjekjeje nga Këshilli i Sigurimit i për ta mbështetur pavarësinë e Kosovës.
"Vetoja është një atribut i domosdoshëm i parimeve themelore të Kombeve të Bashkuara. Ky parim nuk është vënë kot në Kartën e Kombeve të Bashkuara" tha Lavrov. Sipas tij, "Nëse NATO dhe BE do ta anashkalonin Këshillin e Sigurimit, atëherë ato do ta vinin veten jashtë së drejtës ndërkombëtare".
XS
SM
MD
LG