Ndërlidhjet

KOSOVË: TË KRISHTERË E MYSLIMANË SONTE FESTOJNË KRISHTLINDJET


Arton Konushevci

Krishtlindjet në Kosovë, si edhe çdo vit tjetër, sonte do të festohen në masë të madhe, si nga vetë komuniteti i krishterë, ashtu edhe nga ai mysliman. Qytetarë të shumtë, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, tashmë e kanë shndërruar në traditë festën e lindjes së Krishtit. Zana Krasniqi, e cila i takon besimit islam, thotë se i respekton të gjitha fetë. ”Jam një ndër personat që i festojnë edhe Krishtlindjet, edhe pse i përkas fesë islame. Them se shqiptarët mund të mburren në botë për transparencë ndërfetare; të gjitha fetë e respektojnë njëra-tjetrën”, shprehet Krasniqi. Valdete Osmani mendon se festa e Krishtlindjeve është bërë shprehi për ta festuar edhe qytetarët që nuk i takojnë besimit të krishterë. ”Zakonisht, në Prishtinë, Krishtlindjeve u jepet më shumë rëndësi për t’i festuar. Ka organizime më të mëdha. Arsyen nuk e dimë, edhe pse shumica janë myslimanë. Ndoshta ka mbetur më shumë si shprehi”, thotë Osmani. Ndërsa, Artan Geca thotë se kjo festë kremtohet në mënyra të ndryshme. ”Ka mënyra të ndryshme se si dhe kush e feston. Ne, si komunitet protestant, sot dhe nesër kemi ditë feste. Si komunitet protestant, sonte, në Tetarin Kombëtar, e kemi ceremoninë kryesore, ku do të vijnë të gjithë besimtarët nga Kosova. Për të gjitha këto, jemi falënderues të Perëndisë, që ka sjellë në Tokë birin e saj, Jezu Krishtin, nëpërmjet të cilit ne të gjithë shpëtuam. Është festë dhe gëzim për të gjithë dhe t’i shërbejmë njëri-tjetrit, jemi të thirrur që ta festojmë dhe ta gëzojmë këtë ditë”, thotë Geca. Vjollca Kerliu mendon se festa e Krishtlindjeve në Kosovë festohet në mënyrë më madhështore se festat e tjera. “Zakonisht mblidhen në Kishën Katolike dhe aty bëjnë ceremoninë e Krishtlindjeve. Madje, nganjëherë më duket se më shumë festohet festa e Krishtlindjeve, sesa ajo e Bajramit. Nuk jam kundër”, shprehet Kerliu. Kurse, Hamide Abazi mendon se viteve të fundit, të rinjtë i kushtojnë më shumë rëndësi festave. Ajo mendon se populli shqiptar është një popull që gjithmonë i ka kontribuar tolerancës fetare. “Viteve të fundit po festohet më shumë, sesa më herët. Më shumë rinia po feston, sesa të moshuarit. Ne jemi një popull që adaptohemi shumë lehtë edhe në fe tjera. Zakonisht, të rinjtë më shumë e kanë për t’u argëtuar, sesa për të festuar. Për mendimin tim është kjo”, thotë Abazi. Ndërsa, Bekim Gllogu thotë se të gjitha festat janë njësoj për të. ”Do të dalim si çdo natë. Nuk ka rëndësi a janë Krishtlindjet apo Bajrami. Është njëjtë për ne”, thotë ai.
XS
SM
MD
LG