Ndërlidhjet

2007: RUSIA DHE PERËNDIMI NË PRAG TË LUFTËS SË RE TË FTOHTË


Britan Whitmore

Marrëdhëniet e Rusisë dhe Perëndimit u fundosën në nivelin më të ulët në vitin 2007, duke ndjekur trendin e rënies, i cili i karakterizoi në këtë dhjetëvjeçar. Shtrohet pyetja, a thua jemi duke hyrë në versionin e shekullit 21 të Luftës së Ftohtë? Viti 2007 ishte viti, në të cilin presidenti Vladimir Putin i krahasoi Shtetet e Bashkuara me Rajhun e Tretë. Ky ishte viti kur Moska kreu një sulm kibernetik ndaj një vendi anëtar të NATO-s dhe u kërcënua se Evropën do ta vë në shënjestër të raketave të saj. Ishte viti kur Rusia u tërhoq nga Traktati i Armëve Konvencionale dhe rifilloi patrullimin e aeroplanëve bombardues. Duket se ky ishte viti kur mbeturinat e fundit të partneritetit mes Rusisë e Perëndimit u nisën drejt pluhurit të historisë. Edward Lucas, zëvendësredaktor në javoren britanike ‘Economist’ dhe autor i librit ‘Lufta e Re e Ftohtë: Si iu kërcënua Kremlini Rusisë dhe Perëndimit’, pret që gjërat të përkeqësohen edhe më shumë. "Mendoj se 2007-ta ishte viti më i keq, për sa u përket marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin prej vitit 1991. Jo që ishin të ulëta, por marrëdhëniet kanë tendencë të bien më shumë", thotë Lucas. Ai e përshkruan konfliktin Rusi-Perëndim si luftë të ftohtë, por që luftohet me armë të buta. Vëzhgues tjerë të Kremlinit ngurrojnë të përdorin fjalë të tilla. Steven Pifer, nga Qendra për Studime Strategjike në Uashington, thotë: "Ende hezitoj ta përdor fjalën ‘luftë e ftohtë’, sepse, sipas meje, ajo përfaqësonte garën në komponentët ushtarakë, politikë, ekonomikë dhe ideologjikë. Mendoj se ende s'kemi arritur në atë pikë", thotë Pifer. Fyodor Lukyanov, kryeredaktor i revistës moskovite ‘Rusia në Çështjet Globale’, thotë se krahasimi më i mirë është shembulli i fuqive klasike, që lanë gjurmë në shekujt e mëhershëm. "Mendoj se këtu bëjnë pjesë politikat para luftës së ftohtë, kryesisht të shekullit 19, kur fuqitë e mëdha kishin interesat e tyre dhe konfliktet nga këto interesa i përcaktonin politikat ndërkombëtare", thotë Lukyanov. Po, ku e sheh ai përplasjen e sotme? "Rusia vendosi se asaj nuk i nevojitet integrimi me Perëndimin dhe ç'është më e rëndësishmja, këtë nuk e donte as Perëndimi. Kjo u nënkuptua se duhet ta përforcojmë pozicionin tonë të pavarur dhe prej atëherë gjërat rrjedhin në atë drejtim", thotë Lukyanov. Trendi i rënies po vërehet disa vite. Moska është shumë e zemëruar për atë që e quan përzierje të Perëndimit në revolucionet në Gjeorgji dhe Ukrainë. Shumë veta nga elita politike ruse druajnë nga një revolucion i ngjashëm demokratik në vendin e tyre. Kjo bëri të kthehen prapa liritë demokratike, që edhe më shumë i keqësoi marrëdhëniet me Perëndimin. Kur Rusia filloi ta përdorë naftën dhe gazin, për t'i bërë shtypje Ukrainës dhe fqinjëve që synojnë integrimin me Perëndimin, ajo nisi një luftë të heshtur për t'i kontrolluar rrugët e energjisë drejt Evropës. Marrëdhëniet u përkeqësuan pas vrasjes së gazetares Ana Politkovskaja dhe ish-spiunit Aleksandar Litvinenko. Në shkurt, Putin i akuzoi SHBA-të se duan t'u imponojnë shteteve tjera vullnetin e vet dhe të krijojnë një botë unipolare. Në mars, Putin tha se Rusia do tërhiqet nga Traktati i Armëve Konvencionale. Moska dhe Uashingtoni patën mosmarrëveshje edhe rreth mburojës raketore në Çeki dhe Poloni, si dhe rreth statusit të ardhshëm të Kosovës. Pifer thotë se problemi i Rusisë me Perëndimin lind sepse Moska kërkon të jetë në qendër të politikave botërore, ashtu si në kohën e Luftës së Ftohtë.
XS
SM
MD
LG