Ndërlidhjet

KRYENGRITËSIT TALIBANË PO E NGADALËSOJNË RIKONSTRUKTIMIN NË AFGANISTAN


Ron Synovitz, Radio Evropa e Lirë Viti 2007 ishte viti më vdekjeprurës për forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja në Afganistan, prej se regjimi taliban u përmbys aty kah fundi i vitit 2001. Megjithqë, militantët vazhdojnë të pësojnë humbje të rënda, kur ata i koncentrojnë forcat e tyre në betejë, duket se talibanët janë në gjendje të rekrutojnë numër të madh të luftëtarëve nga Pakistani dhe Afganistani për t'i zëvdendësuar ata që janë vrarë. Numri i sulmeve vetëvrasëse me bomba poashtu ka shënuar rritje, së bashku me vrasjet e civilëve. Por, me gjasë, më dëshpruese për bashkësinë ndërkombëtare është se qëllimet për projektet kryesore për rikonstruktim ende nuk janë arritur.

Në Afganistan, në realizim e sipër, janë më se 14 mijë projekte të rikonstruktimit, por zyrtarët e NATO-s thonë se penda për hidrocentralin Kajaki është projekti me rëndësinë më të madhe strategjike dhe psikike. Alenaca veri atlantike në fillim të vitit shpalli se qëllimi i saj kryesor në pjesën Jugore të Afganistanit është që të sjellë siguri në hapësirat përreth vendit Kajaki në provincën e trazuar Helmand. Gjatë një fjalimi në muajin mars të vitit 2007, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer sugjeroi se progresi i sigurisë gjatë vitit 2007 mund të matet me afëtisnë e NATO-s që luftëtarët talibanë ti mbajë larg vendit Kajaki, në mënyrë që punëtorët ta ndërtojnë rrugën e re, që është e nevojshme për transportin e turbinave gjigante në vendërtimin e pendës.
- Kur turbina të vendoset në pendë, ajo do të jepë rrymë për 2 milionë njerëz dhe bizneset e tyre. Poashtu do të ketë mundësi për ujitje për qindra fermerë. Do të krijohen 2 mijë vende të reja pune. Talibanët po e sulmojnë çdo ditë këtë projekt në përpjekjet e tyre për ta penguar realizimin e tij, pat thënë zoti Scheffer në mars të vitit 2007.

Zyrtarë civilë amerikanë, që punojnë në projektin Kajaki i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se shpresojnë se banorët e qytetit Kandahar do të fillojnë ta shfrytëzojnë rrymën nga turbinat e riparuara të Kajakit në fillim të vitit 2008. Në fillim të muajit qershor, kur NATO-ja njoftoi se nga sulmi i kombinuar amerikano – britanik ishin vrarë shumica e luftëtarëve talibanë në luginën Kajaki ose ishin detyruar të tërhiqen, dukej se arritja e këtij qëllimi ishte e mundshme. Por përkundër njoftimeve të NATO-s për sukses në fushë të betejës, talibanët ishin në gjendje që përsëri të futeshin në këtë hapësirë dhe të shkaktonin trazira të mjaftueshme për ta shtyrë ndërtimin e rrugës, që lidhë luginën Kajaki me qytetin Gereshk.
Aty kah fundi i nëntorit rruga ende nuk ishte e përfunduar. Pa këtë rrugë turbina për prodhimin e rrymës elektkrike nuk mund të transportohet në Kajaki, kështu që forcat britanike dhe ato të Shteteve të Bashkuara nuk mund të thonë se kanë arritur sukses në këtë projekt kryesor të vitit 2007.

Megjithatë, rikonstruktimi i pendës së Kajakit nuk është e vetmja masë, që tregon se trupat e jashtme nuk ishin në gjendje t'i realizonin qëllimet e tyre.
Sipas një raporti sekret të Shtëpisë së Bardhë, që e kishte botuar Uashington Posti në nëntor, konkludohej se përpjekjet e luftës në Afganistan në vititn 2007 nuk arritën t'i realizojnë qëllimet strategjike të përcaktuara nga ushtria e Shteteve të Bashkuara. Ky dokument i Këshillit për Sigurinë Kombëtare thotë se derisa trupat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja ishin të suksesshme në luftërat individuale ushtarake kundër talibanëve, duket se militantët ende ishin në gjendje që të rekrutojnë numër të madh të luftëtarëve.
Lidhur me këtë çështje ja se ç'thotë Joana Nathan nga Grupi ndërkombëtar i Krizave, zyra në Kabul:
- Në këtë moment, talibanët dhe grupet kryengritëse ndjehen të forcuar. Pjesa më e madhe e atyre që janë të involvuar në luftime janë ata të dëshpruarit, që ndjehen të braktisur nga qeveria dhe ata që nuk e shohin ndihmën ndërkombëtare që u ofrohet, tha Joana Nathan.

Zonja Nathan mendon se kryengritja talibane gjatë vitit 2007 nuk do të thotë se militantët kanë aftësi për ta marrë kontrollin ndaj qyteteve në Afganistan. Por, sipas saj, taktika e talibanëve mund t'i ngadalësojë projektet e rikonstruktimit dhe ato humanitare.
- Unë realisht shpresoj se bota po fillon të zgjohet në aspektin e seriozitetit të asaj që po ndodhë në Afganistan. Ne shohim se pothuajse gjysma e këtij vendi po terrorizohet. Këta janë guerilët. Ata po i bëjnë këto hapësira në masë të madhe të pa arritshme për ndihmat humanitare dhe për zhvillim, tha Joana Nathan.

Zyrtarët në Kabul thonë se banorët afganët po hidhërohen për shkak të qindra vrasjeve të civilëve të shkaktuara nga sulmet ajrore të NATO-s ose të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara. Autoritetet thonë se ky hidhërim po e bënë më të lehtë për talibanët rekrutimin e luftëtarëve të rinjë.
Në Afganistan poashtu kanë ndodhur më se 140 sulme vetëvrasëse me bomba të realizuara nga ekstremistët, nga të cilat janë vrarë më se 200 civilë. Në këtë aspekt viti 2007 ishte viti më vdekjeprurës nga sulmuesit vetëvrasës në historinë e Afganistanit.

Komisionarja e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Louise Arbour gjatë vizitës në Kabul në nëntor tha se të dy palët: talibanët dhe trupat e jashtme në Afganistan, janë përgjegjëse për rritjen e vrasjeve të civilëve. Ajo akuzoi talibanët se me qëllim po i marrin në cak civilët në sulmet vetëvrasëse me bomba, përfshirë këtu edhe mësuesit dhe punëtorët humanitarë.

Njëherësh, numri i viktimave ndër trupat e jashtme në Afganistan është rritur në nivelet më të larta prej vitit 2001, kur u përmbys regjimi taliban. Më se 240 ushtarë të jashtëm janë vrarë në Afganistan në 11 muajt e parë të vitit 2007. Sekretari i përgjithshëm i Natos, Jaap de Hoop Scheffer thotë se njëri prej dështimeve më të mëdha të aleancës në Afganistan ishte në fushën e trajnimit dhe të furnizimit të trupave qeveritare afgane, që eventualisht do ta merrnin përgjegjësinë për operacione të sigurisë nga forcat e Shteteve të Bashkuara dhe ato të NATO-s.
XS
SM
MD
LG