Ndërlidhjet

NË VITIN 2007, NUMRI I PËRDORUESVE TË DROGAVE – NË RRITJE


Nadie Ahmeti

Numri i konsumuesve të substancave narkotike, krahasuar me vitin e kaluar, gjatë këtij viti ka shënuar rritje, thonë zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës dhe defektologë. Sektori për hetimin e narkotikëve i Shërbimit Policor të Kosovës, kohëve të fundit, e ka shtuar efikasitetin në kapjen e personave përdorues, transportues ose shitës të narkotikëve, thotë Sabrije Kamberi, zyrtare për informim në këtë shërbim. “Nga muaji korrik deri në nëntor të këtij viti, SHPK-ja në mbarë territorin e Kosovës ka kapur këto lloje të narkotikëve: 24162.7 gram heroinë, 19068.3 gram marihuanë, 19967 bimë të kanabisit, 789 gram kokainë dhe 21 gram hashash”, bëri të ditur Kamberi. Gjatë kësaj periudhe, Shërbimi Policor i Kosovës ka arrestuar 225 persona të dyshuar, ndërsa janë hapur 145 raste, tha Sabrije Kamberi, duke shtuar se krahasuar me pjesën e dytë të këtij viti, në gjashtëmujorin e parë, të dhënat e SHPK-së tregojnë se janë konfiskuar 53 për qind të drogës së llojit marihuana, 23 për qind heroinë, 5 për qind kokainë, 7 për qind bimë të kanabisit dhe 7 për qind lloje të tjera të drogës.“Konfiskimet e drogës dhe arrestimet e të dyshuarve për raste të drogës në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007 janë më të mëdha, sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Nga gjithsejtë 293 të dyshuar, 196 persona janë arrestuar, 83 prej të cilëve u është caktuar masa e ndalimit dhe 14 persona janë të dyshuar, por ende nuk janë arrestuar“, tha Kamberi Ndryshe, edhe në qendrën mediko-psikoterapike ‘Labirinit’, në të cilën trajtohen personat që abuzojnë substanca narkotike apo janë të varur nga to, thonë se edhe në këtë qendër është vërejtur një rritje e numrit të përdoruesve të drogës. Defektologu Safet Blakaj thotë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është shënuar një rritje prej tetë për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Nga puna në terren, kjo përqindje është dukshëm më e lartë. Nga puna në terren na del se kjo përqindje është 19.5 për qind më e lartë në hulumtimin e njëjtë të vitit të kaluar. Në fakt, janë tri karakteristika kryesore të përdoruesve të drogave; shtimi i shpejtë i numrit, rënia e moshës se përdoruesve të drogave dhe shtimi i numrit të përdoruesve në periferi të qyteteve”, shprehet Blakaj. Sipas tij, adoleshentët janë ata që më së shumti përdorin drogë, ndërkaq marihuana është droga më e preferuar e tyre. “Mesatarja e klientëve, të cilët janë në qendrën tonë, është 18.2 mosha mesatare e atyre që kanë filluar të përdorin drogë; në këtë rast, marihuanen, është 13.8 vjeçare; ndërkaq, tek përdorimi i heroinës si drogë më e rrezikshme kjo mbërrin 18.5 vjeçare. Në fakt, marihuana është droga më e përhapur, çka tash nuk është e çuditshme të vërehet edhe në bankat shkollore dhe mënjeherë pas saj paraqitet heroina”, theksoi Blakaj. Ndryshe, ai thotë se institucionet vendore gjithsesi tashmë duhet të fillojnë luftën kundër drogave, pasi, shton ai, qasja e drogës tek të rinjtë është jashtëzakonisht e lehtë. “Patjetër duhet të fillohet me një strategji që neve na mungon, strategjia e drogave. Jemi i vetmi vend në Evropë që nuk kemi strategji të drogave dhe kjo është arsyeja kryesore që ne nuk mund të përballemi me këtë fenomen”, tha Blakaj. Shërbimi Policor i Kosovës, kohë më parë, në Komunën e Obiliqit, ka gjetur edhe ara të kultivuara me bimë narkotike.

XS
SM
MD
LG