Ndërlidhjet

Obama dhe Huckabee fitojnë zgjedhjet partiake në Iowa


Senatori Demokrat Barack Obama ka fituar betejën e parë në zgjedhjet partiake që u mbajtën në Iowa për t’u nominuar si kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. “Kemi zgjedhur shpresën dhe jo frikën. Kemi zgjedhur unitetin dhe jo ndarjet dhe kemi dërguar një mesazh të fuqishëm se ndryshimet po vijnë në Amerikë”, ka thënë senatori Barack Obama, i cili ka fituar 38 për qind të votave. Pas tij, është rradhitur senatori John Edwards, kandidati demokrat për nënpresidentin amerikan në zgjedhjet e vitit 2004, i cili kësaj radhe ka fituar 30 për qind të votave. “Nga këto rezultatet e zgjedhjeve në Iowa është e qartë se status quoja ka pësuar humbje dhe kanë fituar ndryshimet”, ka thënë zoti Edwards, pas të cilit është rradhitur senatorja Hillary Clinton, me 29 për qind të votave.
"Më e rëndësishmja është se tani, derisa vazhdojmë të garojmë, të përqëndrohemi në dy çështje të mëdha, të përgjigjemi drejtë në çështjet që secili prej nesh ka ngritur. Si do të ftojmë në nëntor të 2008-ës? Duke nominuar kandidatë që do të jenë të gatshëm të marrin këtë rrugë dhe të cilët do të jenë president që në ditën e parë. Unë, ka thënë zonja Clinton, jam e gatshme për këtë garë”.
Nga rradhët e Partisë Republikane, zgjedhjet partiake në Iowa për nominim presidencial i ka fituar Mike Huckabee, një prift Baptist i shndërruar në politikan, i cili deri para disa muajsh ka qenë i panjohur jashtë Arkanzasit, ku edhe ka shërbyer si guvernator. “Ka filluar një ditë e re në politikën amerikane, një ditë e re për të cilën kjo politikë dhe kjo qeverisje ka nevojë. Kjo ditë ka filluar në Iowa por nuk përfundon aty. Do të vazhdojë gjithë rrugëtimin dhe do të përfundojë në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Huckabee, duke fituar 34 për qind të votave. Me 25 për qind të votave, rivali i tij republikan, Mitt Romney, është rradhitur i dyti dhe kjo ka nxitur dyshime të mëdha mbi shanset e tij në të ardhmen. "Do të shihni ndryshime në Washington, sepse Amerika e pranon se nuk mund ta ndryshojmë këtë vend dhe të kemi një të ardhme më të ndritur nëse vazhdojmë t’i dërgojmë fytyrat e vjeta në Washington, megjithëse në karrike të ndryshme. Kjo nuk do të funksionojë, na duhen fytyra të reja dhe synoj që një prej tyre të jem unë”, ka thënë zoti Romney.
Zgjedhjet partiake në Iowa tregojnë se cilin kandidat do ta mbështesin delegatët e këtij shteti në Kuvendin e secilës parti për të caktuar përfaqësuesin e tyre në zgjedhjet presidenciale. Këto kuvende mbahen kryesisht në muajin gusht, edhe pse deri atëherë emrat e kandidatëve mbase do të jenë vendosur. Zgjedhjet e ardhshme partiake mbahen në New Hampshire të martën që vjen.
XS
SM
MD
LG