Ndërlidhjet

MISIONI I RI I NË KOSOVË PRET VENDIM POLITIK TË BE-SË


Arton Konushevci

Ekipi planifikues i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, vlerëson se kurdo që të kërkohet, misioni i ri i Bashkimit Evropian mund të jete i pranishëm në Kosovë, meqë përgatitjet për një gjë të tillë janë bërë. Ndërkohë, edhe Karen Limdal nga zyra për informim e Ekipit Planifikues të misionit të BE-së në Kosovë, mision ky që do të sjellë në Kosovë ekipin prej 1800 pjesëtarësh nga fusha e drejtësisë dhe policisë, thotë se ajo që nevojitet tash për tash është një vendim politik nga Bashkimi Evropian për vendosjen e një misioni në Kosovë.
"Ky vendim nuk është marrë ende po ka një përkushtim të madh nga Bashkimi Evropian për këtë mision. Ndryshe deri tash kemi qenë të suksesshme në përgatitjet tona me partnerët tanë ndërkombëtare dhe vendorë, por megjithatë ne varemi shumë nga zgjidhja e statusit politik të Kosovës, dhe mund të them se kjo është pengesa e vetme për vendosjen e misionit tonë këtu", tha Karen Limdal.
Sidoqoftë edhe pse ka paqartësi se kur do të fillojë të vendoset ky mision në Kosovë, zyrtarë nga ekipi planifikues i BE-së thonë se sapo të merret vendimi, ekipi i përbërë nga 1800 oficerë dhe gjykatës janë të gatshëm që të vijnë në Kosovë.
"Ne jemi të gatshëm që të nisim misionin nëse do të ketë vendim politik nga BE-ja. Neve do të na duhet periudha tranzitore prej 120 ditësh për t'u funksionalizuar. Pra, mund të them se jemi të përgatitur që të fillojmë", tha Limdal.
Zyra Civile Ndërkombëtare, që njëherësh paraqet edhe zyrën e përfaqësuesit të BE-së, ka për obligim që ta monitorojë implementimin e marrëveshjes për statusin, po ashtu do të monitorojë dhe këshillojë në të gjitha fushat e lidhura me sundimin e ligjit, në veçanti në gjyqësi, polici, dogana dhe në shërbimet korrigjuese. Këshilli i Bashkimit Evropian në mesin të muajit dhjetor ka vendosur që ky mision të vijë në Kosovë edhe pa rezolutë të OKB-së.
XS
SM
MD
LG