Ndërlidhjet

RREZIKU NGA SHTYRJA E MËTEJME E PAVARËSISË


Albana Isufi

Pavarësisht zërave të qarqeve të ndryshme diplomatike për shtyrjen eventuale të zgjidhjes së statusit, në mënyrë që të priten rezultatet e zgjedhjeve në Serbi, në Rusi apo në disa vende evropiane, qeveritarët kosovarë janë të bindur se pavarësia përfundimisht është çështje javësh. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, thotë se më nuk ka hapësirë për shtyrje. “Është çështje javësh çështja e shpalljes së pavarësisë. Mendoj se nuk duhet të lidhet me zgjedhjet as në Serbi, e jo më me ato në Spanjë, sepse zgjedhje do të ketë në të gjitha vendet në vazhdimësi dhe po të lidhej çështja e statusit politik me zgjedhjet që ndodhin në vende të ndryshme të Evropës, sigurisht se kjo do të ishte një shtyrje deri në infinit”, tha Manaj. Opozita kosovare thotë se shtyrja mund të pranohet vetëm brenda disa kufijve dhe për aq sa nuk do ta degradonte procesin. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Berim Ramosaj, mendon se koordinimi me faktorin ndërkombëtar është i domosdoshëm, por, sipas tij, institucionet e Kosovës me veprimet e tyre duhet ta shndërrojnë Kosovën në një faktor, që i dëgjohet zëri. “Të luajmë rolin e krijimit të shtetit të Kosovës në këtë mjedis, që është mjaft dinamik dhe turbulent, që vazhdimisht vijnë raste te tilla, si herë zgjedhje në Serbi, e herë zgjedhje në Spanjë. Por, sidoqoftë, ne duhet të krijojmë një strategji, që edhe ta bëjmë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe të tregojmë se ne jemi ata faktorë kryesorë dhe se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve”, u shpreh Ramosaj. Publicisti Shkëlzen Maliqi mendon se para muajit mars Kosova nuk do ta shpallë pavarësinë. Sipas tij, mosuniteti i plotë rreth vendosjes së misionit të ardhshëm të BE-së në Kosovë, raundi i dytë i zgjedhjeve në Serbi, zgjedhjet në Spanjë dhe në Rusi, do të jenë ndër faktorët përcaktues të datës së pavarësisë. “Këto do të ndikojnë, që ndoshta edhe për disa javë, ndoshta deri në mars, të shtyhet edhe njëherë afati, por sigurisht nuk do të shkojë më tutje se fillimi i marsit”, theksoi Maliqi. Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar disa herë se data e shpalljes së pavarësisë do të caktohet në koordinim me Uashingtonin dhe Brukselin. Analistët mendojnë se vizita e Thaçit në Bruksel do të jetë vendimtare për caktimin e datës. Kryeministri udhëton atje pasditen e sotme, ku pritet të takojë përfaqësuesin e lartë për siguri dhe politikë të jashtme të BE-së, Havier Solanën. Sidoqoftë, zëvendëskryeministri Manaj nuk bën të ditur nëse ky takim do të jetë përcaktues i datës së pavarësisë. “Do të shohim se cila do të jetë agjenda e takimeve të kryeministrit në Bruksel dhe cili do të jetë rezultati i bisedave”, tha Manaj. Analisti Shkëlzen Maliqi tërheq vërejtjen se një shtyrje deri në pranverën e vonë, do ta destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë. “Nuk mund të pritet më shumë dhe të destabilizohet gjendja në Kosovë, e cila është e qetë për momentin, por mund të... Nëse hyjmë edhe në pranverë me këtë gjendje, mund të kemi trazira dhe probleme me stabilitetin”, tha Maliqi. Ndryshe, përveç zgjedhjeve nëpër shtete të ndryshme, që po ndikojnë në shtyrjen e shpalljes së pavarësisë, sipas analistëve, edhe mospajtimi për zbarkimin e misionit të BE-së në Kosovë po i kontribuon kësaj vonese. Në anën tjetër, diplomatët amerikanë vazhdojnë të jenë më insistues në zgjidhjen e këtij problemi. Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, ka theksuar nevojën urgjente të marrjes së vendimit për statusin, meqë, siç ka thënë ajo, lënia anash e vendimeve të vështira nuk i bën ato më të lehta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG