Ndërlidhjet

TOPI E THAÇI PAJTOHEN SE PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË ÇËSHTJE DITËSH


Zijadin Gashi

Shqipëria dhe Kosova janë përcaktuar që të jenë aleate të perëndimit dhe pjesë e familjes së bashkuar evropiane, kanë deklaruar sot presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Në ditën e tij të dytë të vizitës në Kosovë, presidenti Bamir Topi tha se Kosova po i kalon momentet historike që e shpien atë kah deklarimi i pavarësisë, duke ndërtuar një shtet modern, demokratik e shumetnik. Në këtë aspekt, shtoi Topi, për datën e pavarësisë tashmë flitet vetëm si çështje ditësh. “Çështja e datës, natyrisht se është ekskluzivitet i institucioneve të Kosovës. Kemi dëgjuar që t’u referohemi në funksion të kohës datave relative. Njëherë ka qenë çështje muajsh, pastaj është bërë çështje javësh, pastaj është bërë çështje ditësh, e këto ditë ju keni dëgjuar të diskutohet si referencë çështje orësh”, tha Topi. Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se ai bashkë me presidentin shqiptar, sapo kanë përfunduar raunde diplomatike nëpër Evropë dhe janë të bindur që Evropa do të flasë me një zë, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, që, sipas tij, do të ndodhë shumë shpejt. Thaçi tha se me vetë faktin që tani flitet vetëm për datën e pavarësisë, kjo, sipas tij, tregon se punët më të mëdha kanë përfunduar dhe tani mbetet vetëm kurorëzimi me nxjerrjen e aktit të pavarësisë. “Evropa do të jetë e bashkuar së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për njohjen e pavarësisë së Kosovës. E informova presidentin Topi për angazhimet e Qeverisë së Kosovës, të institucioneve të rendit, për zotimet tona për ndërtimin e Kosovës së pavarur, demokratike e shumetnike, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit e të afirmuara për minoritetet... Kosova do të jetë vend i të gjithë qytetarëve të saj”, theksoi Thaçi. Presidenti Topi dhe kryeministri Thaçi janë zotuar se Shqipëria dhe Kosova do të ndërtojnë raporte të ngushta bashkëpunimi në të gjitha fushat. Presidenti Topi tha se në këtë vizitë ai po shoqërohej nga një delegacion shumë i gjerë, vetëm e vetëm që të tregohet se të dyja vendet do të jenë shembull i bashkëpunimit. Me të përfunduar të autostradës që lidh të dyja vendet, Topi tha se do të krijohen kushte edhe më të mira për bashkëpunimin tregtar, ekonomik dhe fusha të tjera. “Besoj se elementi më substancial që krijon të gjitha parakushtet për këtë zhvillim, është mbarimi sa më shpejt që të jetë e mundur i rrugës Durrës – Morinë, që do t’i lidhë portet e Shqipërisë me Kosovën, jo vetëm si një rrugë jetike vitale e komunikimit të njerëzve, por edhe e shkëmbimit të mallrave, e zhvillimit të ekonomisë, por besoj edhe për problemet e sistemit energjetik të komunikimit apo shkëmbimit në fushën e bujqësisë, industrisë, të kulturës e tjera”, vlerësoi presidenti shqiptar. Presidenti Topi ka filluar dje vizitën e tij treditore në Kosovë. Ai tha se kjo vizitë po realizohet në prag të vendimit më të rëndësishëm në historinë e Kosovës, përkatësisht vendimit për deklarimin e pavarësisë, duke besuar se Kosova si shtet i pavarur do të njihet nga bota demokratike dhe shtetet fqinje. Pas kryeministrit Sali Berisha, edhe presidenti Bamir Topi shpallet qytetar nderi i Prishtinës.

XS
SM
MD
LG