Ndërlidhjet

Kush e provokoi armiqësinë e Putinit ndaj Perëndimit?


Presidenti rus, Vladimir Putin
Presidenti rus, Vladimir Putin

Vladimir Putini ka shprehur pakënaqësinë ndaj planeve të Perëndimit për baza ushtarake në lindje të Evropës. Kjo duket të jetë arsyeja kryesore për zemërimin e Kremlinit.



Pakënaqësia më e madhe e Vladimir Putinit ndaj Perëndimit duket se ka të bëjë me zgjerimin e NATO-s, përfshirë dhe anëtarësimin e vendeve që dikur kanë qenë nën ndikimin e Moskës.
Në një fjalim të mbajtur në Moskë, ku foli për përparësitë e Rusisë deri në 2020 Vladimir Putini tha se Rusia ka bërë pjesën e vet për të dëshmuar se nuk është armiqësore ndaj Perëndimit.
Sipas presidentit rus është Perëndimi dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara ato që nuk kanë bërë të njëjtën gjë.
"NATO-ja po zgjerohet duke i çuar strukturat ushtarake më afër kufijve tanë. Ne i kemi mbyllur bazat tona ushtarake në Kubë dhe Vietnam, por çfarë kemi marrë në shkëmbim? Baza të reja ushtarake në Rumani dhe Bullgari, pozicionime të reja të mbrojtjes raketore në Çeki dhe Poloni ", tha Putini.
Më tej ai hodhi poshtë deklarimet e presidentit amerikan se planet ushtarake të vendit të tij nuk drejtohen kundër Rusisë, duke i cilësuar këto thjesht si fjalë. Sipas Putinit veprimet amerikane dhe të NATO-s flasin për të kundërtën.
Pyetja shtrohet kush e ka provokuar mërinë e Putinit, kur dihet se ai është nga udhëheqësit e paktë që presidenti amerikan Bush e ka pritur në fermën e tij në Teksas.
Sipas Ted Karpenter nga Instituti Kato fjalët e Putinit tregojnë për ridaljen në skenë të krenarisë dhe nacionalizmit rus.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik Rusia u dobësua së tepërmi, thotë Karpenter. Ai shton se pas rritjes së çmimit të naftës e gazit në tregun ndërkombëtar Rusia ka një fuqi ekonomike të cilën po përpiqet ta përdorë në planin global.
Sipas Karpenter qëndrimin e Putinit do ta mbante çdokush që do të ishte president i Rusisë në këtë kohë.
"Është pjesërisht përgjigjje ndaj zgjerimit të pamend të NATO-s mu tek kufijtë e Rusisë dhe veprimeve të tjera të SHBA-ve që synojnë të poshtërojnë Rusinë", thotë Karpenter.
Eksperti nga Instituti Kato vlerëson se përgjegjës është administrata e Bushit, por jo më pak përgjegjësi ka dhe ajo e Clintonit.
"Ka qenë një marri e të dyja partive, jo vetëm e administratës Bush. Rrënjët e këtij problemi filluan me administratën Clinton. Dihet se Jimm Baker në vitin 1990 i premtoi Rusisë se pas bashkimit të Gjermanive NATO-ja nuk do të zgjerohej në lindje dhe nuk do kishte vendosje të trupave ushtarake atje. Të dyja këto premtime janë shkelur", thotë Karpenter.
Aktualisht marrëdhëniet mes dy vendeve, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara tashmë janë dëmtuar rëndë, pohon Karpenter.
XS
SM
MD
LG