Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi për Kosovën. Duke folur para reporterëve, zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Alejandro Wolf deklaroi:
"Situata e Kosovës është unike, e ka historinë e vet dhe nuk mund ta injorojmë këtë histori. Janë konsekuencat e politikës së pastrimit etnik të Sllobodan Millosheviqit dhe të qeverisë së tij, që bëjnë të jetë e sigurt se Kosova kurrë më nuk do të qeveriset nga Beogradi", tha zoti Wolf.
Përfaqësuesi amerikan me këtë rast tha se qëndrimi i SHBA-ve është i qartë dhe i bërë i ditur më heret.
"Ne besojmë se plani i Ahtisaarit, përkatësisht pavarësia e mbikëqyrur është rruga përkatëse për të ecur dhe siguruar mirëqenien dhe ardhmërinë për të gjithë kosovarët dhe serbët, që Kosova dhe Serbia të vihen në rrugën e institucioneve euro-atlantike", tha Wolf.
Ai, më tutje, ka thënë se është i gatshëm të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në rast se ajo konvokohet nëse Kosova e shpallë pavarësinë, por ka bërë të ditur se nuk pret diçka të re pasi Këshilli i Sigurimit është i bllokuar.
Më tutje, siç raportojnë agjencitë e lajmeve, ambasadori britanik, John Sawers tha se Këshilli i Sigurimit është i ndarë dhe se të gjithë anëtarët shprehin keqardhje që nuk ishte e mundur të arrihet marrëveshje.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit ta kundërshtojë deklaratën e pritur për pavarësinë e Kosovës.
"Ne kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës", tha ai. Më tutje, zoti Jeremiq foli për masat që do t'i ndërmarrë Serbia pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
"Serbia do t'i përdorë të gjitha mjetet politike, diplomatike dhe ekonomike. Ne nuk do të hezitojmë në përdorimin e të gjitha mjeteve", tha zoti Jeremiq.
Ndërkaq, ambasadori i Rusisë, Vitali Curkin, ka deklaruar se pos SHBA-ve dhe disa vendeve anëtare të BE-së, tjerët nuk mbështesin deklarimin e pavarësisë së Kosovës. Curkin ka vënë në pah se shumica e këtyre vendeve flasin për domosdoshmërinë e vazhdimit të bisedimeve për të gjetur një zgjidhje që do të mbështetej në ligjet ndërkombëtare dhe mbi bazën e respektimit të Rezolutës 1244.