Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS I DRUHEN PRONONCIMIT TË SAWERS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Serbët e Kosovës kanë reaguar në mënyra të ndryshme ndaj një deklarate të djeshme bërë nga anëtari i udhëheqjes së Listës serbe për Kosovën e Metohinë, Goran Bogdanoviq, i cili pas takimit me drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, John Sawers tha se diplomati britanik u kishte thënë se Kosova do të jetë e pavarur dhe se serbët e Kosovës duhet të mendojnë se si t’i realizojnë të drejtat e tyre në kuadër të asaj pavarësie. Oliver Ivanoviq, bartës i Listës serbe për Kosovën e Metohinë, i cili nuk ka marrë pjesë në takimin e djeshëm me zotin Sawers, tha se ky sigurisht është qëndrim i Britanisë së Madhe të cilën e përfaqëson zoti Sawers, por jo edhe qëndrim i Grupit të Kontaktit:
"Parimisht Grupi i Kontaktit ka qëndrimin se Prishtina dhe Beogradi duhet ta gjejnë zgjidhjen dhe nëse Grupi i Kontaktit ka një qëndrim të këtillë, atëherë nuk ka kurrfarë kuptimi që të bisedohet," tha Ivanoviq. Ai tha se nëse ky është qëndrim edhe i Grupit të Kontaktit, serbët e Kosovës do të duhej të kishin rol shumë më të rëndësishëm në këtë proces, pasi ata e dinë më së miri gjendjen dhe nevojat e serbëve të Kosovës.
Ndërkaq, Dragisha Kërstoviq, po nga Lista serbe i ka quajtur të ngutshme qoftë deklaratat e zotit Sawers, qoftë reagimet e zotit Bogdanoviq:
"Nuk duhet të prejudikohet asgjë në këtë drejtim nga kushdo qoftë, madje as zoti Ahtisaari nuk do të ishte mirë që në këtë moment të deklaronte ndonjë gjë lidhur me statusin e Kosovës," tha Kërstoviq.
Në anën tjetër, Oliver Ivanoviq tha se nëse ky është qëndrim i Grupit të Kontaktit, është e rëndësishme në këtë kuptim sjellja e Beogradit për të qetësuar situatën në mesin e serbëve, ndërkohë që decentralizimi duhet të jetë punë kryekëput e serbëve të Kosovës, me ndihmën absolute të Beogradit:
"Është me rëndësi qëndrimi i Beogradit që duhet të ndikojë për qetësimin e plotë të serbëve të Kosovës, pra Beogradi duhet të luajë rol konstruktiv në një situatë të tillë," tha Ivanoviq.
Zoti Kërstoviq ndërkaq mendon se do të ishte mirë që palët të përqendrohen në çështjet praktike që ndikojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve:
"Unë do të isha për bisedime lidhur me çështje të tjera, në çështje që kanë të bëjnë me mënyrën se si ta përmirësojmë jetën, se si t’i kthejmë të zhvendosurit," tha Dragisha Kërstoviq, sipas të cilit përqendrimi në këto çështje do të ndikonte për të përmirësuar jetën e njerëzve, ndërkohë që procesi politik për statusin do ta kishte rrjedhën e vet.

XS
SM
MD
LG