Ndërlidhjet

KS I OKB – STATUSI I KOSOVËS TË ZGJIDHET BRENDA 2006


Këshilli i Sigurimit diskutoi raportin e rregullt tre mujor mbi zhvillimet në Kosovë.
Thuajse të gjithë folësit në takim vlerësuan lart procesin e qetë dhe të shpejtë të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, pas vdekjes së ish presidentit Rugova.
Shefi i UNMIK-ut në këtë kuadër theksoi mbështetjen nga deputetë të të gjitha grupeve parlamentare gjatë zgjedhjes së presidentit dhe rolin e Shërbimit Policor të Kosovës, si institucion shumëetnik, gjatë periudhës së zisë në Kosovë.
Problemi i pakicave, liria e lëvizjes dhe përfshirja e pakicës serbe në institucionet e Kosovës ishin në qendër të fjalimeve të shumë folësve. Shefi i UNMIK-ut theksoi rëndësinë e kësaj çështje në kuadër të procesit të bisedimeve.
"Të drejtat e pakicave janë një fushë që në kohën e bisedimeve për statusin, udhëheqësit e Kosovës nuk mund të dëshmojnë asgjë më pak se angazhim të plotë, sinqeritet dhe veprim", tha Jessen Petersen.
Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, që drejtonte delegacionin serb, në fjalën e tij tha se Beogradi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës ofron kompromis politik, pa ndryshim të njëanshëm të kufijve. Kjo qasje e Beogradit, tha Tadiç, shqiptarëve të Kosovës do t'u mundësonte autonomi shumë të gjerë, me kusht që këtë lloj autonomie ta miratojnë edhe për entitetin serb në Kosovë.
"Marrëveshja që do të realizohej në këtë formë do të ishte me garanca ndërkombëtare dhe pas një periudhe 20 vjeçare ajo sërish do të vihej në tryezën e bisedimeve", tha Tadiç.
"Serbia demokratike është e gatshme për bisedime të tilla dhe do bëjë çmos që ato të jenë të suksesshme, duke mbrojtur interesat e veta legjitime dhe duke respektuar interesat legjitime të të tjerëve", tha presidenti i Serbisë.
Nga ana tjetër ambasadori i Britanisë së Madhe në fjalën e tij në planin humanitar, ka veçuar nevojën për zgjidhje për romët që gjenden në kampet në veri të Mitrovicës, të cilët jetojnë në një mjedis tepër të ndotur nga plumbi. Në planin politik ai theksoi se çdo zgjidhje për statusin e Kosovës duhet të marrë parasysh qëndrimin e 90% të popullsisë shqiptare të Kosovës.
"Çdo zgjidhje për statusin e ardhshëm të Kosovës duhet të përfundojë brenda vitit 2006 dhe nuk mund të mos marrë parasysh aspiratat e 90% të popullsisë së Kosovës", tha ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara. Edhe ambasadori francez theksoi nevojën që negociatat të përfundojnë brenda vitit 2006, derisa situatën në Kosovë e cilësoi specifike, të cilës i kanë paraprirë ngjarjet dramatike të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ambasadori amerikan John Bolton, vendi i të cilit ka kryesinë e rradhës së Këshillit të Sigurimit tha se pavarësia është opsion real.
"Duhet të jemi realistë për rezultatin. Pavarësia është një rezultat i mundshëm. Çdo zgjidhje për statusin duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës", tha Bolton, ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, i cili edhe e drejtoi këtë seancë.

XS
SM
MD
LG