Ndërlidhjet

AHTISARI PRET QË NDRYSHIMET TA DINAMIZOJNË PROCESIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në Kosovë duhet të bëhen shumë ndryshime në terren para se të lëvizim drejt zgjidhjes së statusit të saj, ka thënë sot në ditën e tretë të vizitës së tij në Kosovë, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisari. Ai tha se besonte që ndryshimet në qeverinë e Kosovës nuk do të kenë efekte në procesin e bisedimeve dhe se këtë ua kishte bërë të ditur edhe liderëve të Kosovës gjatë kësaj vizite:
“Unë erdha në Kosovë në kohën kur qeveria këtu po hyn në ndryshime, por unë besoj se këto ndryshime nuk do të kenë efekte në procesin e statusit”, tha Ahtisari. Përkundrazi, këto ndryshime duhet të ndikojnë në dinamizmin e procesit, sepse nuk kemi më kohë të humbim, ka thënë kryenegociatori Ahtisari. Në vazhdim Ahtisari tha se nuk i takon atij që të vlerësoj nominimin e Agim Çekut për postin e kryeministrit të Kosovës. Puna ime, tha ai, është që të vazhdoj bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës dhe me ata që janë të zgjedhurit e popullit.
Kurse vazhdimi i bisedimeve për decentralizimin në Vjenë është një prej prioriteteve të veçanta, theksoi Ahtisari. Krahas decentralizimit, shtoi Ahtisari, bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duhet të vazhdojnë paralelisht edhe në çështje të tjera ku përfshihen, të drejtat e minoriteteve, trashëgimia kulturore dhe çështje të ngjashme.
“I kam inkurajuar liderët që të shikojnë kah e ardhmja dhe të mos merren me të kaluarën, sepse ky është një proces që përcakton statusin dhe atë se çfarë të ardhme do të ketë Kosova”, tha Ahtisari. Edhe këtë herë ai tha se beson që deri në fund të vitit do të arrihet në fazën e vendosjes së statusit të Kosovës, mirëpo kjo, shtoi ai, nuk varet vetëm nga ai dhe ekipi i tij, por edhe palët në bisedime.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, këto tre ditët e fundit, Ahtisari ka takuar grupin negociues, presidentin e Kosovës, përfaqësuesit e komuniteteve, si dhe asociacione të ndryshme të qytetarëve. Ai tha se ishte i kënaqur me përparimet që ka parë gjatë një vizite në komunën e Lypjanit. Kurse në vazhdim, Ahtisari tha se do të vazhdojë për në Nju Jork për t’u takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, Këshillin e Sigurimit dhe më pas do të zhvilloj disa takime në Uashington dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Më pas, Ahtisari tha se do të kthehet në Prishtinë e Beograd që të shohë se si qëndrojnë punët. Ai tha se tashmë i ka marrë përgjigjet në pyetësorët e tij, si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi dhe pret që më 17 mars në Vjenë, Prishtina dhe Beogradi t’i vazhdojnë diskutimet për decentralizimin. Për këtë qëllim, Ahtisari tha se do të dërgoj ekipin e tij në Prishtinë dhe Beograd për ta përgatitur takimin e radhës në Vjenë.

XS
SM
MD
LG