Ndërlidhjet

MINISTRIA E DREJTËSISË DHE E BRENDSHME MARRIN KOMPETENCAT E PARA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në qeverinë e Kosovës sot ka filluar organizimi i çështjeve që kanë të bëjnë me bartjen e kompetencave në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë. Fillimisht, përbrenda qeverisë, nga Ministria e Shërbimeve Publike, kompetenca të caktuara janë bartur tek Ministria e Punëve të Brendshme, kurse më pas administrata e UNMIK-ut i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë kornizën e kompetencave që barten në këtë fushë nga administrata ndërkombëtare tek qeveria vendore. Shefi i administratës së UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen tha se i kishte ofruar mbështetjen e plotë ministrit të drejtësisë, Jonuz Salihaj dhe i kishte ofruar atij kornizën në të cilat përcaktohet fusha e veprimit të kësaj ministrie:
“Kosova është në rrugën e formimit të një shoqërie demokratike e tolerante dhe shumë-etnike dhe një shoqëri e tillë mund të ndërtohet vetëm nëse bazohet në zbatimin apo sundimin e ligjit”, tha Jessen Petersen. Me këtë rast, një rol të madh në krijimin e kësaj shoqërie, sipas tij do të kishte që ministritë e reja, ajo e drejtësisë dhe e punëve të brendshme, të shënojnë rezultate pozitive në punën e tyre.
Ndërkohë ministri i drejtësisë Jonuz Salihaj, u zotua se ai në bashkëpunim me administratën ndërkombëtare, do t’ia dalë që brenda 100 ditëve të para të punës t’i plotësojë kriteret e parapara, në mënyrë që pas këtij afati UNMIK-u t’i bartë dhe përgjegjësitë kryesore nga kjo fushë tek autoritetet vendore:
“Ky është proces bukur i komplikuar, por ne do të punojmë dhe puna jonë do të vlerësohet. Do të bëhet edhe vlerësimi i brendshëm dhe vlerësimi i jashtëm, do të jemi shumë të hapur shumë transparent për opinionin. Kjo ministri u ka munguar qytetarëve të Kosovës dhe besoj ta kryejmë punën tonë”, tha Salihaj.
Po sot, Ministrisë së Punëve të Brendshme i janë dorëzuar fusha të caktuara të përgjegjësive edhe nga Ministria e Shërbimeve Publike në kuadër të qeverisë së Kosovës. Kryeministri Agim Çeku tha se në mungesë të ministrive adekuate, shërbimet publike janë ngarkuar deri më tash me përgjegjësi që bien në fusha të tjera, por me formimin e këtyre ministrive tani përgjegjësitë do të ndahen për autoritetet përkatëse:
“Saktësisht, Departamenti i menaxhimit të emergjencave dhe Departamenti i dokumentacionit civil, që nga ky moment kalojnë në kompetencë dhe përgjegjësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është standard perëndimor, si çdokund në botën perëndimore që Ministria e Punëve të Brendshme merret me këto çështje”, tha kryeministri Çeku.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë janë në kompletim e sipër. Sipas kornizës ligjore për formimin e tyre, këto dy ministri duhet të kalojnë një test pune prej tre muajsh, kurse më pas UNMIK-u do të vlerësojë nëse ato i kanë kryer përgjegjësitë sipas parashikimeve. Nëse vlerësimi do të jetë pozitiv, atëherë këto dy ministri do të marrin dhe përgjegjësi shtesë, të cilat ndërkohë do të vazhdojë t’i ushtrojë administrata ndërkombëtare. Jessen Petersen tha se ai nesër do t’i dorëzojë dhe ministrit të punëve të brendshme kornizën e kompetencave, të cilat deri më tash janë ushtruar nga UNMIK-u.

XS
SM
MD
LG