Ndërlidhjet

PËRFUNDUAN PROCEDURAT PËR PRIVATIZIMIN E FERRONIKELIT


Albana Isufi, Prishtinë

Kompania angleze Alferon pritet që të fillojë punën menjëherë në gjigandin metalurgjik Ferronikeli. Pas shumë zvarritjesh Alferon ka bërë pagesën prej 30.5 milionë eurosh duke u bërë zyrtarisht pronare e Ferronikelit. Drejtori i privatizimit në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit Kris Adams, thotë se Alferoni do të fillojë menjëherë me punësimin e 1000 punëtorëve, si dhe të investojë shumën e premtuar prej 20 milionë eurosh. Adams thotë se AKM-ja do të monitorojë këtë proces.
“Ky është fillimi dhe jo fundi. Ne menjëherë do të monitorojmë investimet e tyre dhe natyrisht garancionet për punësim që ata i kanë bërë gjatë periudhës kontraktuese. Ata kanë garantuar se do punësojnë 1000 njerëz dhe se do fillojnë t'i punësojnë menjëherë. Ata nga dje kanë filluar të punësojnë 144 personat, që kanë qenë duke punuar në Ferronikel”, thotë Adams, duke shtuar se Alferon do të fillojë edhe me blerjen e pajisjeve të reja.
“Ne do t’i monitojmë ata dhe të sigurohemi se po i ndërmarrin këto veprime. Ata veç kanë punëtorët e tyre në terren dhe pres që këto përpjekje do të shpejtohen në mënyrë dramatike në 2-3 muajt e ardhshëm”, thotë Adams, i cili e quan privatizimin e Ferronikelit një fazë shumë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës.
"Është një kohë sfiduese për Kosovën dhe fillimi i një ere të re në historinë e minierave të Kosovës. Ne do të shohim zhvillime më të mëdha në sektorin e minierave në të ardhmen”, thotë Adams.
Por, a ka qenë çdo gjë në rregull me privatizimin e njërës prej ndërmarrjeve më të mëdha të Kosovës. Sipas ligjvënësve të opozitës kosovare jo. Ata në një seancë parlamentare kanë kërkuar një auditim të përgjithshëm të procesit të privatizimit. Kërkesa e tyre ka pasuar një paraqitje të gjatë të shefit të Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Joachim Rucker dhe Ministrit të Tregtisë Bujar Dugolli, të cilët kanë lavdëruar procesin e deritashëm të privatizimit.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se politikat operacionale të privatizimit janë të padrejta, e sidomos pas ndërrimeve që u janë bërë atyre. Sipas Krasniqit, një ndër shkeljet e mëdha të procedurave dhe rregulloreve të procesit të privatizimit është bërë me rastin e privatizimit të Ferronikelit, ku, siç tha ai, kompanisë që është shpallur fituese e përkohshme nga AKM-ja i janë shtyrë afatet e pagesës së parave në kundërshtim me rregulloret.
“Kjo shkelje e rregullores bëhet duke dhënë arsye të paqëndrueshme që kjo bëhet për arsye që Alferonit t'i mundësohet lidhja e kontratës me KEK-un, për furnizim me energji elektrike, derisa ky veprim që bëjnë zyrtarët nuk ka qenë i paraparë në procedurat mbi privatizimin". Krasniqi ka thënë se gjatë privatizimit të Ferronikelit ka pasur implikime nga jashtë.
“Lirisht mund të themi se këtu ka konflikt interesash. Kjo na jep të drejtë të dyshojmë se në Ministrinë për Tregti dhe Industri, disa persona janë implikuar në këto procedura të paligjshme në forma të ndryshme. Ndonjëri prej tyre kërkon edhe të punësohet tek Alferoni, pasi ai ka ndihmuar në rastin e privatizimit të Ferronikelit."
Pavarësisht akuzave të opozitarëve, shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Joachim Rucker, mendon se Ferronikeli është një histori e suksesshme e procesit të privatizimit.
“Jam i bindur se Ferronikeli shumë shpejt do të kontribuojë rritjen e punësimit në Kosovë, siç edhe ka qenë rasti me kompanitë e tjera, që janë privatizuar”, tha Ruecker para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Bordi i AKM, para 5 muajsh ka shpallur fitues të përkohshëm të kombinatit metalurgjik “Ferronikeli” në Drenas, ndërmarrjen angleze Alferon. Kjo kompani kishte ofertë më të ulët se ndërmarrja “Adi Nikel”, për rreth 16 milionë euro, mirëpo për shkak të disa dyshimeve se kjo kompani po bënte shpërlarje parash i ishte pamundësuar blerja e kompanisë. Në bazë të kontratës, kompania Alferon, për tre vite duhet të investojë 20 milionë euro. Alferon ka nënshkruar kontratën me Korporatën Energjetike të Kosovës dhe është shpallur konsumator i privilegjuar, për t'u furnizuar me energji elektrike.
XS
SM
MD
LG