Ndërlidhjet

PRISHTINË: DEBAT MBI KOSOVËN GJATË DHE PAS BISEDIMEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bisedimet Prishtinë – Beograd çdo ditë e më tepër po dëshmojnë së nuk mund të përfundojnë me marrëveshje, kështu që në fund Grupi i Kontaktit mund të jetë ajo instancë që do t’i paraqesë Këshillit të Sigurimit zgjidhjen për statusin e Kosovës, është thënë sot në një debat me temën, “Kosova gjatë dhe pas bisedimeve”, të organizuar nga Akademia e Arteve të Bukura. Duke i komentuar para të pranishmëve katër raundet e para të bisedimeve për decentralizimin në Vjenë, zëvendëskryeministri Lutfi Haziri tha se të gjitha takimet kanë dëshmuar se palët janë shumë larg dhe se nuk mund të pritet asfarë marrëveshje. Haziri tha se tani si zgjidhje ka mbetur që zëvendësi i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan, të vijë në Prishtinë dhe më pas në Beograd për të paraqitur dhe pozicionin ndërkombëtar lidhur me decentralizimin në Kosovë. Haziri tha se shpreson që zgjidhjet e ofruara nga bashkësia ndërkombëtare do të jenë të ngjashme me planin e Prishtinës, pasi që zbatimi i parimeve të dokumentit të Beogradit sipas tij, do të sillte pasoja afatgjatë, si për shqiptarët, ashtu edhe për vetë serbët e Kosovës:
“Parimi i ndarjes së etnive në Kosovë do të jetë parim që do të shkaktojë konflikte, relacione konfliktuoze të vazhdueshme, nën një dhe nën dy, shumica e serbëve etnikë në Kosovë që jetojnë në brendësinë e Kosovës, e që janë pjesa më e madhe, do të detyroheshin nën parimin e shpërnguljes humanitare me u largu nga shumica, sepse tendenca me i nda etnitë në shumicë shqiptare që janë 92 përqind dhe në pakicë serbe që janë 8 përqind, do të shkaktonte këtë konsekuencë, sepse te ndarjet etnike konsekuencat janë të tilla“, tha zëvendëskryeministri Haziri.
Ndërkohë, ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili së fundit njihet dhe si hartuesi i planit për Mitrovicën, tha se ndihej mjaft i kënaqur që për planin e tij, nuk kishte marrë kritika vetëm nga serbët, por edhe nga shqiptarët. Ai tha se zgjidhja për Mitrovicën si një qytet me dy komuna duke e vënë atë nën administrimin ndërkombëtar për tre vitet e ardhshme do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme. Kurse sa i përket vetë zgjidhjes së statusit, Rexhepi parashikoi që këtu rolin kryesor ta ketë Grupi i Kontaktit dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi:
“Në fund të fundit, Grupi i Kontaktit ose edhe ndërkombëtarët e tjerë do ta imponojnë një zgjidhje për Kosovën, dhe unë shpresoj se kjo zgjidhje do të jetë reale dhe do të jetë më afër kërkesës së shumicës në Kosovë, pra do të jetë pavarësia me sovranitet. Mirëpo që kjo të realizohet ne i kemi disa kushte apo kërkesa që duhet t’i plotësojmë. Komunitetet etnike, në rend të parë komunitetin serb, të jemi bujarë ndaj tyre dhe të bëjmë ofertën më serioze me standardet më të larta që janë shtetet evropiane”, theksoi Rexhepi.
Në debat ka marrë pjesë dhe bartësi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq. Ai tha se nuk pret që zgjidhja e statusit të Kosovës të ndodhë gjatë qershorit e as gjatë këtij viti. Kjo është një çështje shumë më komplekse tha Ivanoviq, duke parashikuar se në fund nuk do të ngadhënjejë as opsioni i Beogradit dhe as ai i Prishtinës:
“Kthimi i Kosovës në Serbi, ashtu siç ishte më parë nuk është zgjidhje kompromisi, që do të thotë se në mungesë të gjetjes së zgjidhjes, do të vijnë në shprehje dy opsione”, theksoi Ivanoviq. Këto opsione, tha ai, janë zgjidhja e imponuar nga bashkësia ndërkombëtare apo opsioni i dytë, gjetja e një zgjidhjeje kalimtare për Kosovën me ofertat për integrimin e saj në BE dhe në NATO.
Ndërsa përqëndrimi i folësve ishte vënë në negociatat për statusin, sa i përket fazës pas statusit, sipas Ivanoviqit, ajo fazë do të jetë edhe më e vështirë, pasi që vetëm atëherë qytetarët do ta shohin se pavarësia, apo cilado zgjidhje, sipas tij, nuk do t’u përmirësojë atyre standardin e jetesës. Kurse Haziri dhe Rexhepi parashikuan që faza pas statusit do të karakterizohet me fillimin e negociatave të Kosovës për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG