Ndërlidhjet

A DUHET TË LEGALIZOHET SHITJA E VESHKËVE


Julie Corwin

Pothuaj çdo vend përballet me mungesën e sigurimit të veshkëve për transplantim - përveç Iranit.
Irani është i vetmi vend në botë që këtë çështje e ka rregulluar qeveria. Atje dhuruesit thjesht ua shesin veshkët njerëzve që kanë nevojë.
Disa mjekë në perëndim, përfshirë edhe ata në Shtetet e Bashkuara, kanë bërë thirrje që të krijohet një treg i ngjashëm, por shumë njerëz e refuzojnë një ide të tillë.
Njeriu i shëndoshë lind me dy veshkë, por mund të jetojë vetëm me njërën. Shtrohet pyetja, a kanë të drejtë njerëzit ta shesin veshkën që nuk u nevojitet?
Sot pothuajse në çdo vend të botës përgjigja është jo. Përjashtim bën Irani. Atje, shitja e veshkëve është legale dhe shitësit mund të të caktojnë çmimin për blerësit e mundshëm.
Një iranian 24 vjeçar, student i inxhinierisë, thotë se ka reklamuar veshkën e tij në gazetën "Hamshahri".
"Nuk e caktova çmimin. U thashë të interesuarve se mund të flasim për çmimin kur të jetë gati transplantimi. Nuk mendoj se është mirë të vlerësohet me para një organ që dhurohet, por mendoj se shkon rreth 5-6 mijë dollarë", thotë ai.
Studenti shpreson se me paratë që do të fitojë për veshkën, do të mund t'i paguajë borxhet dhe të martohet me të fejuarën.
Në shumë vende të tjera, shitja e veshkëve është e jashtëligjshme, megjithëse ekziston tregu i zi, dhe çmimet shkojnë prej 800 deri disa mijë dollarë.
Nancy Scheper-Hughes, antropologe në Universitetin e Berkley-t në Kaliforni, drejton një organizatë joqeveritare që kundërshton shitblerjen e veshkëve.
Ajo thotë se ka dëgjuar shumë rrëfime për njerëzit që përpiqen të shesin veshkën.
"Shumica e tyre janë punëtorë krahu, që më në fund përjashtohen, sepse paragjykohen nga njerëzit që e kundërshtojnë këtë veprim. Ata thjesht asnjëherë nuk e marrin veten pasi dhurojnë njërën veshkë", thotë Scheper-Hughes.
Sipas saj, pasojat janë edhe më të hidhura në rastet kur shitja nuk është bërë plotësisht në pajtim me vullnetin e dhuruesit.
Por ndryshe mendon Amy Friedman nga Universiteti Yale, kirurge e specializuar për transplantimin e veshkëve. Ajo së fundi botoi një artikull në të cilin bëri thirrje për formimin e një tregu të rregulluar global për veshkët.
"Kohët janë shumë dëshpëruese. Shumë njerëz vdesin në pamundësi për të siguruar të mirat nga transplanti, të cilat besojmë se do t'ua zgjasnin jetën. Tregu i zi ekziston, ndaj është shumë vështirë të dimë vëllimin e organeve të transplantuara. Prandaj kjo duhet të kontrollohet dhe të rregullohet", thotë Friedman.
Ajo thotë se në Iran pothuaj është zhdukur lista e pacientëve që presin t'u dhurohet veshka. Sipas saj, pa liri në shitjen dhe blerjen e organeve, furnizimi me veshkë as në Iran nuk do të shkojë si duhet, sepse ligjet islamike ndalojnë transplantimin e organeve nga dikush që sapo ka vdekur.
Por Scheper-Hughes thotë se nuk ka garanca se legalizimi i shitjes së veshkëve do t'u jepte fund abuzimeve që tash janë të pranishme në tregun e zi.
"Ne e dimë nga kërkimet e një kolegu që punoi në Iran, se dhuruesit zakonisht rekrutohen nga margjinat e popullsisë. Ato kryesisht janë të varfër, disa madje të braktisur nga familjet", thotë Scheper-Hughes, duke shprehur shqetësimet e saj se legalizimi i tregtisë me organe do të kishte edhe pasoja ndërkombëtare.


XS
SM
MD
LG