Ndërlidhjet

BEOGRAD: QYTETARËT KANË MENDIME TË NDRYSHME PËR STATUSIN E KOSOVËS


Albana Isufi, Beograd

Qytetarët serbë të Beogradit ende kanë paqartësi rreth zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.
Disa qytetarë të anketuar në Beograd thonë se Serbia tashmë e ka humbur Kosovën, përderisa disa të tjerë nuk pajtohen se Kosova mund të fitojë ndonjëherë pavarësinë.
Nadja Duhaçek nga Beogradi, mendon se nuk u takon qytetarëve të Serbisë të merren me çështjen e Kosovës. Sidoqoftë, ajo thotë se është çështje kohe kur Kosova të bëhet shtet i pavarur.
“Nga pozicioni im si qytetare e Beogradit mendoj se statusi nuk është punë e imja dhe në asnjë mënyrë unë këtu nuk duhet të përzihem, përveç se të shoqërohem me njerëzit e atjeshëm dhe të shoh se çka mund të bëjmë së bashku. Dhe të mos ketë këtu ndonjë konotacion politik. Ndërsa, nga ana tjetër mendoj se realisht në një të ardhme të afërt, Kosova do ta fitojë pavarësinë, dhe si një shtet i pavarur do të shkojë në drejtimin e duhur, kah integrimet evropiane”, thotë Nadja Duhaçek.
Krejt ndryshe mendon Dejan Bulliq.
“Atje më nuk ka jetë të përbashkët. Unë personalisht jam për ndarjen e Kosovës. Pa marrë parasysh se Bashkimi Evropian është kundër ndarjes, kjo është e vetmja zgjidhje", thotë Bulliq.
Petar Markoviq nga Beogradi mendon se situata në Kosovë nuk është e favorshme për serbët. Sidoqoftë, ai mendon se Kosova do fitojë pavarësinë.
"Atje katastrofa veç ka ndodhur dhe nuk di nëse diçka e mençur mund të ndodhë. Ky është një terren për alibi të politikanëve dhe ata nuk mund të bëjnë asgjë, siç nuk kanë bërë deri tash dhe fatkeqësisht Kosova do bëhet e pavarur", thotë Markoviq.
Dragan Frank, mendon se Serbia tashmë e ka humbur Kosovën.
"Kosova, po e humbur është, sepse nëse atje ka 95 përqind shqiptarë, s’e di se si mund të ketë vend për serbë atje. Pavarësia do të arrihet, vetëm se ende janë duke u luajtur disa lojëra politike", thotë Dragan Frank.
Ndërsa, Nikola Tomiq nga Novi Sadi mendon se të paktën edhe dy vjet nuk do të ketë zgjidhje të statusit përfundimtar.
"Nuk e di saktë se cili do të jetë statusi, por besoj se nuk do të ketë zgjidhje të paktën edhe dy vjet. Dhe kjo do të largonte çfarëdo ndarje të mëtjeme mes Kosovës dhe Serbisë", thotë Tomiq.
Shitësja Nada Saviq, mendon se Kosova do t'i përkasë sërish Serbisë.
"Mendoj se Kosova do t'i përkasë serbëve, sepse ashtu ka qenë gjithmonë, unë jam kundër pavarësisë së Kosovës", thotë Saviq.
Në anën tjetër Jovan Jankoviq mendon se Kosova do të ketë një status hibrid.
"Unë po pres se çka do t’u bjerë në mend disa të pamendve, sepse s’ka racionalitet dhe asgjë e mirë s’ka ndodhur në këto vite. Do të jetë ndonjë zgjidhje hibride, sepse mendoj se çdoherë duhet të ketë dikund ndonjë konflikt, sepse me atë konflikt jeton pjesa kreative e botës", thotë Jankoviq.
Sido që të jetë, beogradasja Nadja Duhaçek mendon se kur në të vërtetë do të vendoset për statusin e Kosovës, nuk do të merren parasysh qëndrimet e qytetarëve serbë.
"Mendoj se askush nuk i pyet ata, as qytetarët e as politikanët. Ndërsa, politikanët që u dëgjohet zëri në publik, ata që tani janë në qeveri, përsërisin disa fraza për të mos humbur zgjedhjet. Por, mendoj se madje edhe elita politike këtu s’ka iluzione se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë", tha Nadja Duhaçek.



XS
SM
MD
LG