Ndërlidhjet

KNKK: DERI MË 30 QERSHOR DO TË KTHEHEN TË GJITHA KUFOMAT NGA SERBIA


Albana Isufi, Prishtinë

Autoritetet e Beogradit i kanë rikonfirmuar kreut të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq François Stamm, se deri më 30 qershor do t’i kthejnë në Kosovë të gjitha kufomat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, të gjetura në varrezat masive në Serbi.
Kjo, sipas zotit Stamm ka zgjidhur një problem, por ka hapur një tjetër.
“Këtu edhe tani do nisin ndoshta problemet, sepse kah do shkojmë tani? Neve na duhen informata shtesë mbi të zhdukurit, mbi varrezat e tjera eventuale masive dhe këtu duhet të bëjmë progres të rëndësishëm”, thotë Stamm.
Kreu i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar François Stamm ka qëndruar sot në Prishtinë, një ditë pas raundit të 6-të të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit mbi fatin e të zhdukurve, takim ky i mbajtur në kryeqytetin serb dhe i udhëhequr nga vetë zoti Stamm.
Në një konferencë të përbashkët me shefin e UNMIK-ut, Jessen Petersen, Kreu i Kryqit të Kuq, François Stamm ka thënë se është i brengosur për shkak të mosarritjes së progresit në këto bisedime.
“Unë jam i shqetësuar dhe tani përfundimisht neve na duhen informatat të reja që na çojnë kah zbulimi i fatit të personave të tjerë të zhdukur, dhe që mund të na çojnë tek varrezat e tjera masive qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi. Për këtë unë kam kërkuar përkrahjen e liderëve në Beograd dhe në Prishtinë”, thotë Stamm, duke shtuar se lista e të zhdukurve është reduktuar edhe me 124 emra të tjerë, që nënkupton se si të zhdukur figurojnë edhe rreth 2 300 persona.
Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë Soren Jessen Petersen, ka thënë se autoritetet lokale janë ato, që mund të ndihmojnë më së shumti në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Ne në masë të madhe do të llogarisim tek autoritetet vendore që të sjellin informata shtesë, që ju duhen grupeve punuese për të shënuar progres më të madh”, tha Jessen Petersen.
Ndërsa, zoti Stamm pret informata nga palët që kanë qenë të përfshira në konflikt.
“Në këtë moment duhet të kemi njerëz, që mund të flasin në emër të ish-palëve në konflikt, për këtë arsye edhe ky grup punues do dallojë nga grupet e tjera”, tha Kreu i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Francois Stamm.
Tani për tani nuk është caktuar ndonjë takim i radhës mes grupeve punuese për të zhdukurit. Zoti Stamm ka kërkuar nga autoritet e Prishtinës dhe Beogradit që të përkrahin dhe forcojnë grupet punuese. Po ashtu, para se të nisin raundet e tjera të bisedimeve, grupet punuese do të obligohen me detyra të caktuara, në mënyrë që takimet e radhës të jenë më efektive.

XS
SM
MD
LG