Ndërlidhjet

IVANOVIQ: INSISTIMI PËR MË SHUMË KOMUNA ME SHUMICË SERBE NUK KA TË BËJË ME NDARJEN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kërkesa për dhjetëra komuna me shumicë serbe në Kosovë është nevojë për vetëqeverisje funksionale lokale, thonë përfaqësues të serbëve të Kosovës, duke sqaruar kërkesat e tyre për më shumë komuna më shumicë serbe. Oliver Ivanoviq, udhëheqës i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, thotë se njëkohësisht për shkak të situatës që po zgjat prej shtatë vjetësh, kur serbët nuk kanë qasje në institucionet qendrore, është me rëndësi të sigurohen institucione të forta në nivel lokal. Zoti Ivanoviq po ashtu mohon që kërkesa për më shumë komuna në kuadër të decentralizimit të ketë ndonjë lidhje me përpjekjet për ndarje territoriale të pakicës serbe në Kosovë:
"Pikërisht rrezikimi i serbëve ka çuar te synimet për të formuar më shumë komuna dhe kjo mund të jetë atraktive në njërën anë, pasi te serbët mund të zgjohet interesimi për pjesëmarrje në institucionet e tilla," tha Ivanoviq. Praktika e deritashme, sipas zotit Ivanoviq flet se disa mjedise kompakte të banuara nga një shumicë serbe, kanë qenë tërësisht të shkëputura nga jeta politike dhe publike:
"Insistimi për më shumë komuna me shumicë serbe është pasojë e asaj që kanë përjetuar sebët në shtatë vitet e fundit dhe është një nevojë që më në fund serbët të nisin të jetojnë në kuptimin politik," tha Oliver Ivanoviq, duke i cilësuar të gabueshme mendimet se decentralizimi bëhet vetëm për shkak të serbëve:
"Që nga fillimi e konsideroj të gabueshëm qëndrimin se decentralizimi po bëhet vetëm për serbët, pasi reforma e pushtetit lokal është nevojë e të gjithëve që jetojnë këtu," tha Ivanoviq.
Në anën tjetër, projektin që Beogradi e ka prezantuar në Vjenë, Rada Trajkoviq, njëra nga udhëheqëset e Këshillit Nacional Serb, nuk e sheh si angazhim për diçka që do të mund të ishte ndarje e Kosovës. Sipas saj, plani i Beogradit është kërkesë për mospranimin dhe moszyrtarizimin e spastrimit etnik në Kosovë, siç u shpreh Trajkoviq:
"Në presim që edhe përfaqëuesit e shqiptarëve që kanë përgjegjësi, do të pranojnë edhe zgjidhje që e tejkalojnë atë standardin prej pesë mijë banorësh për të mundur të formohet një komunë e re," tha zonja Trajkoviq.
Ajo mendon se formimi i bashkësisë së komunave serbe, apo e ndonjë forme tjetër e organizimit, më shumë mund të ketë ndikim psikologjik në stabilitetin e serbëve, sesa që esencialisht mund të jetë në funksion të ndarjes së serbëve. Zonja Trajkoviq mendon se këto janë zgjidhje të momentit deri tek tejkalimi i mostolerancës ndërmjet dy bashkësive etnike, ndërkohë që planet për ndarje nuk janë realiste, mendon zonja Trajkoviq.
"Nuk mendoj se decentralizimi ka të bëjë me planet për ndonjëfarë ndarjeje, pasi kjo në esencë është jorealiste," tha zonja Trajkoviq, ndërkohë që Oliver Ivanoviq thotë se ka insistuar që Kosova në fund të procesit të ketë 60 deri 70 komuna, duke nënkuptuar se kjo çështje kërkon zgjidhje posaçërisht për qytetet e mëdha, në të cilat ka më shumë probleme për qasje në organet e pushtetit. Ivanoviq thotë se formimi i më shumë komunave do të ndikonte që e gjithë popullata e Kosovës të animohej për të marrë pjesë bashkërisht në proceset politike dhe situata do të ndryshohej për të mirë.


XS
SM
MD
LG