Ndërlidhjet

NATO NUK REDUKTON PRANINË NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Bruksel

Përkundër vendimeve për të zgjeruar misionin në Afganistan, NATO-ja thotë se mbetet e përkushtuar që deri në fund të këtij viti, dhe edhe në fillim të vitit të ardhshëm, apo sa do ta paraqesë nevoja, që të mbajë këtë forcë ushtarake që ka tani në Kosovë. Kjo u tha sot në NATO, në konferencën për gazetarët, në prag të takimit të Ministrave të Mbrojtjes së Aleancës. Zyrtarë të lartë të Aleancës në Bruksel pohojnë se NATO-ja është e përkushtuar për të siguruar stabilitetin e Kosovës në këtë vit, që konsiderohet vit kyç për Kosovën dhe për të ardhmen e saj. Po ashtu zyrtarët në NATO thonë se procesi i negociatave për statusin e Kosovës dhe mënyra se si do të zgjidhet ky status, do të ketë ndikim edhe në angazhimet e ardhshme të NATO-s në rajon. Zyrtarët e NATO-s pohojnë se misioni në Kosovë është misioni më i madh që momentalisht ka Aleanca me rreth 17 mijë ushtarë dhe tani pritet që edhe misioni në Afganistan, që është misioni i dytë për nga madhësia i NATO-s, do të rritet në këtë numër apo edhe të tejkalohet, nëse paraqitet nevoja. Kështu ministrat e vendeve që kontribuojnë në misionin në Afganistan, do të mblidhen po ashtu këtë javë në Bruksel, për të diskutuar mënyrën se si do të përmbushen nevojat për të siguruar trupat e nevojshme për zgjerimin e misionit në Afganistan. Në NATO thonë se Kosova është një ndër operacionet më interesante, por edhe më të rëndësishme për Aleancën, sepse ka të bëjë edhe me sigurinë e Evropës, kështu që nuk duhen patur shqetësime, sepse ka gatishmëri të plotë të të gjitha vendeve anëtare për të mbajtur përkushtimin dhe për të mbajtur forcat ushtarake që tani janë në Kosovë. Po ashtu në NATO thonë se Aleanca gjatë këtij viti do të jetë e gatshme të parandalojë çdo provokim të situatës në Kosovë, në prag të zgjidhjes së statusit. Kështu deklaruan edhe duke iu përgjigjur pyetjes për shqetësimet se mund të eskalojë situata, pasi një pjesë e serbëve të Kosovës në veri thonë se do të shkëputin kontaktet me Prishtinën.



XS
SM
MD
LG