Ndërlidhjet

PACK:"NUK MUND TË KETË COPTIM TË KOSOVËS"


Doris PACK, kryetare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Balllkanin

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pack, keni qenë së fundi në Serbi. Cila ishte atmosfera në mesin e politikanëve atje pas referendumit në Mal të Zi dhe për të ardhmen e Kosovës?

DORIS PACK
Nuk mendoj se atmosfera është më e mirë se ajo që sjellin mediat. Nuk kisha përshtypjen se e përjetuan ndarjen me Malin e Zi si katastrofë, pasi ishte diçka që pritej. Natyrisht ka politikanë që ndihen keq nga kjo ndarje, veçanërisht kryeministri Koshtunica, por shumica e politikanëve me të cilët fola e kishin pranuar dhe prisnin një tranzicion të qetë.
Sa i përket Kosovës është një problem që nuk është zgjidhur ende. Nuk është e qartë se kur e si do zgjidhet. Serbia ka problemin se vazhdon të jetojë me trashëgiminë e Millosheviçit. Mali i Zi iku prej Serbisë, ndonëse ndarja kishte filluar prej kohësh. Kosova, të cilës iu hoq autonomia nga Millosheviçi përjetoi prej tij sistemin e aparteidit. Tani Kosova pret një zgjidhje, kur dihet se shqiptarët në Kosovë nuk do pranojnë në asnjë mënyrë të qeverisen nga Beogradi.
Në anën tjetër Serbia vazhdon të këmbëngulë se Kosova është pjesë e saj. Është një problem i vështirë, por shpresoj së zoti Ahtisari dhe ekipi i tij do ta gjejnë një zgjidhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Serbi, ka deklaruar së fundi se Serbia po punon për copëtimin e Kosovës. Shtuar këtu dhe hapin e fundit të katër komunave serbe në veri të Kosovës, që deklaruan ndërprerjen e komunikimit me UNMIK-un dhe institucionet në Prishtinë, si i vlerësoni planet për copëtimin e Kosovës?

DORIS PACK
Nëse Sonja Biserko e thotë atëherë është e vërtetë, pasi ajo gjendet pranë zhvillimeve dhe i vëzhgon ato me kujdes.
Në Beograd duhet të jenë të ndërgjegjshëm se nuk mund të qeverisin me Kosovën, ashtu siç nuk e kanë qeverisur gjatë viteve të fundit. Ata duhet ta kuptojnë se serbët e Kosovës duhet të jetojnë normalisht në Kosovë, me të gjitha të drejtat. Për sa kohë Beogradi të vendosë së çfarë do të ndodhë në veri të Mitrovicës apo diku tjetër nuk do kemi paqe. Beogradi duhet t'i ndihmojë serbët e Kosovës të marrin përgjegjësitë në duart e veta. Nëse Beogradi e bën një gjë të tillë për ta atëherë serbët e Kosovës asnjëherë nuk do mund të ndihen qytetarë të barabartë në Kosovë.
Nuk po them se shqiptarët sillen gjithmonë si është më së miri, por shqiptarët kanë vuajtur shumë sidomos gjatë viteve '90. Kam qenë personalisht dëshmitare, ndaj ata duan të drejtojnë vetë jetët e tyre. Për këto arsye duhet të kemi një ndarje paqësore mes Serbisë e Kosovës deri në fund të vitit dhe të dyja palët duhet ta pranojnë një gjë të tillë.
Copëtimi i Kosovës nuk është zgjidhje. Si do bëhet një gjë e tillë kur serbët nuk jetojnë vetëm në veri, por dhe në pjesë të tjera të Kosovës. Nuk mund të kemi copëtim. Serbët e Kosovës duan të jetojnë paqësisht në Kosovë dhe këtë duhet t'ia krijojnë shqiptarët, por dhe Beogradi.
Është e domosdoshme të ndryshohet sjellja e Beogradit, derisa shqiptarët duhet t'i bëjnë të gjitha përpjekjet që serbët të jenë qytetarë të barabartë të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga këndvështrimi evropian, kur dhe si do jetë epilogu i bisedimeve për statusin e Kosovës?

DORIS PACK
Procesi po ecën, këtë po e bën zoti Ahtisari dhe kolegët e tij. Mendoj se duhet të përmbyllet këtë vit pasi sa më shumë të zgjasë e vështirëson gjithë situatën.
Serbia duhet të mëkëmbet nga e kaluara e Millosheviçit, pasi është në interes të rinisë së tyre të heqin dorë nga e shkuara e të shohin drejt së ardhmes. Të paktën për gjeneratat e reja.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se do të jetë një mision i tij pas UNMIK-ut. Si do duket ky mision evropian në Kosovën e pas statusit?

DORIS PACK
Së pari nuk e dimë se cili do jetë statusi. Nëse do kemi si rezultat i bisedimeve një pavarësi të kushtëzuar apo diçka të ngjashme, padyshim në Kosovë do jetë një njeriu jonë, që do vëzhgojë me kujdes situatën. Nëse do kemi pavarësi për Kosovën, atëherë duhet të kemi dhe shumë kushte për shqiptarët, përmbushja e të cilave duhet të mbikqyret me kujdes.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do t'i vlerësonit politikat e Tiranës dhe Shkupit ndaj Kosovës?

DORIS PACK
Ato po sillen shumë mirë. As Tirana, as Shkupi nuk po krijojnë probleme. Për to është shumë e rëndësishme të zgjidhet çështja e Kosovës, pasi gjithë rajoni sheh nga Bashkimi Evropian. Natyrisht janë disa procese përpara, siç ishte pavarësimi i Malit të Zi e besoj deri nga fundi i vitit edhe Kosova do marrë një lloj pavarësie. Duhet t'i lëmë këto vende ta përfundojnë procesin e shpërbërjes. Ato do takohen sërish në Bashkimin Evropian, por ky takim do jetë i ndryshëm nga ai që patën në Jugosllavi, pasi tani janë pjesë e strukturave demokratike. Të gjitha këto vende kanë interes të madh për një rajon stabël.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju prespektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, marrë parasysh zërat dyshyes brenda Unionit apo dhe atë që po e quajnë lodhje nga zgjerimi?

DORIS PACK
Do ketë gjithmonë kriza dhe lodhje. Aktualisht kemi 10 vende të reja e priten dhe dy të tjera. Por problemi qëndron tek ne si Bashkim Evropian. Të tjerët bëjnë shumë përpjekje për reforma, por jo dhe ne. Bashkimi Evropian harroi të bënte reformat e veta. Jemi sot 25 vende anëtare, kurse instrumentat i kemi sikur kemi qenë gjashtë.
Ne na duhet të gjejmë rrugën e daljes nga kjo gjendje në dy vitet e ardhshme, pasi na duhen instrumentat, të cilat do ndihmojnë zgjerimin e mëtejshëm.
Kur jam tek zgjerimi dua të theksoj se zgjerimi duhet të ketë kufijë. Zgjerimi i rradhës pas Rumanisë e Bullgarisë do bëhet me vendet e Ballkanit Perëndimor, pra Bosnjën, Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën. Më tej nuk mund të shkojmë. Është tjetër gjë të punosh me evropianët dhe tjetër me jo evropianët, siç janë turqit. Politika e fqinjësisë së mirë është tjetër, por duhet ta kufizojmë Bashkimin Evropian në formën e mësipërme.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, para se këto vende të anëtarësohen plotësisht në Bashkimin Evropian, janë një morri masash që mund të merren për të përmirësuar jetën e qytetarëve përfshi dhe lëvizjen e lirë. A ka ndonjë gjasë të rregullohen këto gjëra para anëtarësimit?

DORIS PACK
Folët për lirinë e lëvizjes dhe unë ndjehem e turpëruar që nuk mundëm të krijonim një sistem vizash që do ishte praktik. Mendoj se qytetarëve në fjalë duhet t'u japim mundësinë të hyjnë në Bashkimin Evropian pas pasur nevojë të presin në rradhë të gjata për ditë e ditë të tëra. Mendoj se sistemi i vizave duhet të realizohet në një mënyrë më të mirë. Problemi qëndron tek shtetet anëtare të BE-së.
Duhet të kemi parasysh që vendet e rajonit duan të shohin dritë në fund të tunelit përfshi dhe hyrjen e lirshme në vendet e Unionit. Duhet të ketë një ndryshim tërësor të regjimit të vizave në Bashkimin Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne nuk po i hapim dyert dhe kjo nuk është korrekte.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG