Ndërlidhjet

KOSOVARËT E SHOHIN NDOTJEN E MJEDISIT SI KËRCËNIM SIGURIE


Albana Isufi, Prishtinë

Nga 14 faktorët të cilët qytetarët e Kosovës i shohin si kërcënim për sigurinë, mjedisi radhitet në pozitën e 5-të, menjëherë pas problemeve politike e etnike, atyre ekonomike, si dhe funksionimit demokratik. Ky konstatim del prej një raporti të Sektorit për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme, ku publiku kosovar e sheh si rrezik të madh për sigurinë e tij ndotjen e ambientit.
Ndër mjediset më të ndotura në Kosovë mbesin hapësirat përreth gjigantit metalurgjik të Trepçës, si dhe ambienti përreth termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Zyrtarë të kësaj korporate, si dhe të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë paraqitur sot një hap të parë për të zbutur këtë ndotje.
Sipas tyre shumë shpejt do të fillojë grumbullimi i hirit të deponuar prej më shumë se 20 vjetësh, i cili përveç ndotjes së ajrit, ka kontaminuar vazhdimisht burimet ujore nëntokësore të vendbanimeve përreth.
Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ardian Gjini, thotë se nga projekti që do kushtojë 5.5 milione euro do ketë përfitime të shumëfishta.
“Pikësëpari do të largohet hiri dhe të rikthehet toka, më pas do të eliminohet pluhuri i hirit, i cili ngrihet gjithmonë me erëra edhe gjatë transportimit, do të mbrohen ujërat nëntokësore nga kontaminimi prej hirit dhe në të njëjtën kohë do të krijohet një formë e metodologjisë së punës, e cila ka konsiderata mjedisore dhe nuk do t’i lërë problemet që të akumulohen”.
Hiri i grumbulluar sipas zëvendëdrejtoreshës së KEK-ut Pranvera Dobruna, më pas do të transferohet në zbrazësirat e minierave aktuale, kryesisht rreth mihjeve të Bardhit.
“Ato sipërfaqe që janë të mbledhura gjatë 20 vjetëve të fundit do të përzihen me dhe e do të barten në zbrazësirat që ekzistojnë atje. Kjo është faza e parë, dhe faza tjetër do të vazhdohet me Kosovën B. Sasitë e dheut dhe të djerrinave janë të mëdha dhe do të kërkojnë mjete shumë të mëdha, por ne së bashku me Bankën Botërore do të gjejmë donatorë të tjerë për të vazhduar dhe ky është një proces shumë i gjatë”, tha Dobruna.
Banka Botërore është donatori kryesor që ka mbështetur këtë projekt, i cili pritet të zgjasë 4 deri në 5 vjet.
”Heqja e këtij hiri do të mundësojë lëvizjen e banorëve në atë anë dhe në të njëtën kohë do të gjejë një zgjidhje mjedisore”, thotë Kanthar Shankar, përfaqësues i Bankës Botërore në Kosovë.
Por, nuk janë vetëm termocentralet ato që shkaktojnë ndotjen e mjedisit në Kosovë. Ministri i Ambientit Ardian Gjini, thotë se në një vend si Kosova është shumë vështirë që të mbrohet mjedisi.
“Mjedisi i ndotur është një nyje, e cila tregon nivel të zhvillimit në shumë aspekte; të zhvillimit industrial, a ka kapacitete të vjetra apo të reja, tregon mënyrën se si sillet popullata ndaj mjedisit, sesa zbatohet ligji për mbrojtjen e ambentit. Një mjedis i ndotur tregon shumë elemente, të cilat janë lidhur si nyje.”
Dhe kjo nyje e lidhur për shumë vite, sipas Gjinit nuk do zgjidhet brenda 6 maujsh apo një viti. Megjithatë, siç thotë ai, më mirë të veprohet vonë sesa kurrë.
XS
SM
MD
LG