Ndërlidhjet

MBAHET TAKIMI I MEKANIZMIT PËRCJELLËS TË STABILIZIM ASOCIIMIT


Albana Isufi, Prishtinë

Nga takimi i 10 me radhë i Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit duket të kenë mbetur të kënaqur si qeveria, ashtu edhe zyrtarët e Komisionit Evropian dhe të UNMIK-ut. Zyrtarë të këtyre institucioneve kanë vlerësuar pas mbajtjes së këtij takimi, se qeveria ka arritur progres në rekomandimet e kërkuara që të përmbushen nga ana e Komisionit Evropian.
Kryeministri Agim Çeku thotë se qeveria do të shqyrtojë komentet që kanë dalë në takim rreth planit për veprim aksional, plan ky, në të cilin më vonë do të përfshihet dokumenti mbi përmbushjen e standardeve.
“Ne do të punojmë me përkushtim. Mekanizmi Përcjellës do ta vlerësojë përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian. Deri më tani edhe takimi i sotëm ka konstatuar se ka progres të dukshëm në përmbushjen e kritereve të Bashkimit Evropian."
Zëvendësi i misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë Paul Acda, vlerëson se Kosova tashmë është në Evropë, ndërsa takimi i fundit i Mekanizmit Përcjellës sipas tij, ka treguar rezultate konkrete të përafrimit të Kosovës drejt unionit.
“Nga të gjitha takimet e deritashme të Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit, mund të them se në këtë të fundit ka qenë progresi më i madh që edhe është ndier”, tha Acda.
Ndërsa, zyrtarët e Komisionit Evropian, duan të sigurohen se dokumentet e hartuara nga qeveria janë në përputhje të plotë me punën, që bën Komisioni Evropian.
“Ne deshëm të sigurohemi se plani i veprimit aksional të Kosovës është në të njëjtën vijë me atë që ne e bëjmë”, tha përfaqësuesi i Komisionti Evropian për Ballkanin Perëndimor, Khaldon Sinno, duke shtuar se komisioni është i bindur se qeveria është duke e respektuar këtë vijë.
Ndërkohë, kryeministri Çeku ka paralajmëruar krjimin e një mekanizmi tjetër, i cili do të ndihmojë në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
“Do të aprovohet edhe një instrument tjetër, instrument i përafrimit evropian, i quajtur IPA, i cili është instrument financiar dhe do ta ndihmojë Kosovën në përafrimin evropian në dy segmente, në ndërtimin e kapaciteteve, por gjithashtu edhe në ngritjen e bashkëpunimit rajonal në Kosovë."
Zoti Çeku, ka siguruar se Kosova është duke u përgatitur mjaft shumë për integimin në BE.
“Ne me plot përkushtim do t'i qasemi kësaj dhe kjo është përgatitja e Kosovës për ditën e parë pas statusit, kur agjenda e vetme politike në Kosovë do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian."
Takimi i ardhshëm i Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit është paralajmëruar të mbahet në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG