Ndërlidhjet

KOSOVA NUK KA NEVOJË PËR KIOSKA-UNIVERSITETE


Numri i universiteteve private në Kosovë, nëse llogariten reklamat agresive që transmetohen papushim në media e veçmas në ato elektronike, del se është më i madh se në vendet e tjera të rajonit.
Të pagëzuar me lloj lloj emrash të mëdhenj dhe me cilësime që do t'ia kishin zili dhe universitete lidere në botë si ai i Oksfordit dhe Kembrixhit universitetet e reja private në Kosovë janë bërë pjesë e pandashme e paradokseve kosovare.
Për herë të parë po ndodh që reklamat për këto universitete private t'a sfidojnë primatin që për vite me rradhë e kanë mbajtur reklamimet e koncerteve të estradës në diasporë.
Edhe çmimet që kërkohen për këto universitete janë shprehje e paradokseve kosovare, pasi çmimet që ato kërkojnë janë marramendëse për familjet që jetojnë nga kulaçi buxhetor apo janë të papauna.
Edhe përkundër agresivitetit reklamues dhe konkurseve të hapura të këtyre themelatave për pranimin e studentëve sipas çmimeve astronomike Minsitria e Arsimit duket se nuk ka një qëndrim të qartë për këtë çështje. Liberalizimi i dhënjes së liçensave për punë nuk është shoqëruar me aktivizimin e agjencisë së akreditimeve. Një agjenci e tillë është e domosdoshme për vlerësimin e plotë dhe profesional të një themelate të arsimit të lartë.
Vlerësimi meritor i kapaciteteve kadrovike të secilit universitet, vlerësimi i programeve të studimit dhe kushteve të tërësishme të punës në to është i vetmi test valid që do tregojë se cila prej këtyre themelatave ofron shërbime adekuate për arsimin e lartë.
Po ashtu është e domosdoshme që degët e hapuara të jenë adekuate me kërkesat e tregut të punës dhe të mos krijojnë konkurencë jolojale mes tyre dhe me universitetin publik se në atë rast prodhojnë kontigjente të reja të të papunëve.
Pas mbajtjes me sukses të zgjedhjeve në universitetin publik të Prishtinë Ministria e Arsimit ka më shumë kohë që të merret me rregullimin e gjendjes në universitetet private. Dhe kjo është tepër urgjente pasi makineria reklamuese e universiteteve private, me një konkurrencë të shfrenuar dhe jashtë shijes së mirë rrezikon të prishë ekuilibrat e arsimit universitar publik.
E vërteta është se Kosova ka nevojë për disa universitete private që do jenë të paisura me kuadro të kualifikuara, me programe të avancuara të studimit e për degë që nuk janënë universitetin publik.
Por Kosova nuk ka nevojë për kioska universitete që synojnë të zëvendësojnë bizneset e dështuara të minimarketeve dhe pishinave, që u ngritën vend e pa vend e që më pas u shkatërruan dhe nga konkurrenca jo e ndershme.
Reklamat agresive të universiteteve private paralajmërojnë të njëjtin epilog dhe në këtë fushë nëse nuk merren masat e duhura qeveritare për vendosjen e rregullave të lojës.

Milazim Krasniqi
XS
SM
MD
LG