Ndërlidhjet

ANNAN: NUK PO PUNOJMË PËR IMPONIMIN E ZGJIDHJES PËR KOSOVËN


Augustin Palokaj, Bruksel

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, ka thënë sot në Bruksel se pret të shihen rezultate të negociatave për statusin e Kosovës, të udhëhequra nga Marti Ahtisari, për të parë se si të vazhdohet më tutje. Ai këtë e tha pas një takimi që pati në selinë e Bashkimit Evropian me kryetarin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso.
"Ne nuk jemi duke punuar për të imponuar zgjidhjen. Për këtë arsye dhe kam emëruar të dërguarin tonë të posaçëm, ish presidentin finlandez Marti Ahtisari, për të punuar si ndërmjetësi im. Ai është duke punuar, duke punuar së bashku me Beogradin dhe Prishtinën për të gjetur zgjidhjen. Unë do të pres të shohim rezultatin e punës së tij, e më pastaj të raportojë para Këshillit të Sigurimit e të shohim se di do të veprojmë pastaj. Nuk jemi as afër asaj që të imponojmë zgjidhjen, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan. Ndërkaq sot edhe kryetari i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso ka përsëritur mbështetjen për punën e Ahtisarit dhe ka thënë se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të jetë një zgjidhje e qëndrueshme, dhe në përputhje me perspektivën evropiane të tërë rajonit.
Ai e tha këtë pas një takimi që pati me presidentin e Serbisë Boris Tadiç në Bruksel. Tadiç ndërkaq nuk ishte në gjendje të përgjigjej nëse Beogradi do të pranojë apo jo ftesën e zotit Ahtisari për të shkuar në Vjenë në takimin me krerët politikë të Kosovës në 24 korrik. Ai tha se presin sqarim të kushteve nga ana e zotit Marti Ahtisari, e pastaj do të vendosin. Boris Tadiç, tha se Beogradi nuk është i kënaqur me negociatat e deritashme në Vjenë. Presidenti i Serbisë edhe kësaj rradhe përsëriti se kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron një opsion të tillë si preçedent dhe zgjidhje, e cila do të kishte pasoja negative në rajonin e Ballkanit. Por vetëm një ditë më herët, Ministri i Jashtëm i Finlandës Erkki Tuomioja, komisioneri i zgjerimit Oli Rehn, thanë në Bruksel se pavarësimin e Kosovës nuk e shohin si opsion që mund të kishte ndonjë ndikim negativ në rajon.

XS
SM
MD
LG