Ndërlidhjet

KREYMINISTRI ÇEKU: KËRKOJMË IZOLIMIN E VERIUT TË KOSOVËS NGA SERBIA


Kryeministri Çeku viziton veriun e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha sot se do të kërkonte nga UNMIK-u dhe KFOR-i që të përforcojnë masat e sigurisë në veri të Kosovës për të penguar kalimin e pakontrolluar të njerëzve, mjeteve dhe parave nga Serbia me të cilat Serbia financon dhe ndërton struktura paralele në Kosovë. Kryeministri Çeku i bëri këto komente sot gjatë një vizite në pjesën veriore të Kosovës përfshirë edhe një lagje etnikisht të përzier në pjesën veriore të Mitrovicës. Kryeministri i Kosovës ka qëndruar sot fillimisht në lagjen e boshnjakëve, ku banorëve të atjeshëm shqiptarë dhe boshnjakë u ka kërkuar të vazhdojnë të jetojnë në lagjen e tyre edhe në të ardhmen. Më pas, kryeministri Çeku ka vizituar disa fshatra veriore të banuara nga shqiptarët. Në Boletin, ai u tha banorëve se do të kërkojë nga forca paqeruajtëse e NATO-s që të shtojë masat e sigurisë në këtë zonë, që ndodhet në afërsi të vendbanimeve serbe në kufi me Serbinë:
"Ne kërkojmë nga KFOR-i dhe UNMIK-u që kjo pjesë e Kosovës të izolohet nga Serbia. Të izolohet edhe politikisht edhe praktikisht të vendosen masa në kufi, të njëjta si çdokund përreth Kosovës. Deri më tash kanë qenë masa të lehta dhe qytetarët që kanë ardhur nga Serbia nuk e kanë pasur përshtypjen se aty ka një kufi, por kanë pasur përshtypjen që kufiri është ura e Ibrit", tha kryeministri Çeku sipas të cilit duhen kontrolluar njerëzit dhe mallrat që hyjnë në Kosovë. Ai tha se shtimi i masave të sigurisë në këtë zonë është i domosdoshëm, pasi kohët e fundit po vërehet një hyrje e pakontrolluar nga Serbia:
"Ka informacione se ka lëvizje, vijnë njerëz, vijnë mjete, vijnë të holla të pakontrolluara me të cilat Serbia financon edhe strukturat paralele, por në këtë pjesë edhe krijon struktura paralele."
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku vizitoi sot edhe personelin e manastirit ortodoks serb në afërsi të Zubin Potokut, komunë kjo e banuar nga një shumicë serbe, por nuk ka vizituar edhe zona të ndjeshme si tre rrokaqiejt në pjesën veriore të Mitrovicës. Duke shpjeguar arsyet për këtë, kryeministri Çeku tha:
"Nuk dua të shkoj diku ku mund të paraqes provokim. Unë nuk shkoj të provokoj, por shkoj me qëllim të mirë, me vullnet të mirë, shkoj t’i inkurajoj qytetarët shqiptarë që të jetojnë aty, të shoh se çka mund të bëjmë ne si qeveri me këto kushtet që i kemi të bëjmë për qytetarët tanë", tha kryeministri Çeku, deklarata e të cilit për përforcimin e masave të sigurisë në veri të Kosovës vjen pas vendimit të KFOR-it për të dërguar edhe 600 paqeruajtës gjermanë në këtë pjesë, në këtë fazë të procesit për përcaktimin e statusit final të Kosovës.

Rrahman Paçarizi

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG