Ndërlidhjet

KFOR-I, QEVERIA DHE OJQ-TË MIRËPRESIN INSPEKTIMIN E BURGJEVE NGA KE-JA


Forcat ndërkombëtare në Kosovë do ta respektojnë vendimin e NATO-s për t’ju lejuar zyrtarëve të Këshillit të Evropës që të vizitojnë njësitë e paraburgimit në Kosovë. Ditë më parë, kryesuesi i Këshillit të Evropës, Teri Dejvis ka deklaruar se do të verifikohet se çfarë janë sjelljet ndaj të burgosurve në 46 vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Në fillim të kësaj jave, NATO-ja ka miratuar që inspektorët e Këshillit të Evropës të vizitojnë burgjet e saj në Kosovë. Zëdhënësi i KFOR-it Pio Zabeta, thotë se çdo vendim që vjen nga nivelet e larta do të realizohet dhe se sipas tij, aktualisht në bazat ushtarake nuk ka asnjë të burgosur.
“Në qendrën e paraburgimit në Kosovë, NATO-ja nuk mban asnjë të burgosur që nga vitit 2004," tha koloneli Sabeta.
Kërkesa e Këshillit të Evropës veçanërisht ka të bëjë me kampin ushtarak "Bondstill”, i cili gjendet afër Ferizajt, në të cilin deri para 2 vitesh ka ekzistuar qendra ushtarake e paraburgimit ku janë mbajtur personat e akuzuar për vepra të rënda penale.
Ndërkaq, organizatat për të drejtat e njeriut në Kosovë jo rrallë kanë shprehur dyshimin se përgjithësisht në qendrat e paraburgimit dhe burgjet e Kosovës, trajtimi i të burgosurve nuk është në nivelin që parasheh Konventa evropiane e parandalimit të torturës. Në anën tjetër zyrtarët e Qeverisë së Kosovës shpresojnë se ekspertët e Këshillit të Evropës do të ndihmojnë që Kosova t’i rregullojë burgjet sipas mënyrës dhe standardeve evropiane. Jonuz Salihaj, ministër i drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, ka vlerësuar rëndësinë e monitorimit ndërkombëtarë.
“Këshilli i Evropës, gjithsesi duhet të bëjë analizat e veta, monitorimet e mandej evaluimet dhe këto janë të dobishme për ne. Ne po dëshirojmë t'i kapim standardet më të larta evropiane edhe në qendrat e paraburgimit përfshi dhe burgun e Dubravës. Ne jemi krejtësisht transparent dhe të hapur. Ne mësojmë nga vërejtjet e tyre dhe i përmirësojmë hap pas hapi”, tha ministri Salihaj.
Vendimin për lejimin e inspektimit të qendrave të paraburgimit dhe burgjeve të KFOR-it dhe UNMIK-ut, e ka përkrahur edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. KMLDNJ-ja e vlerëson këtë si një hap përpara drejt rregullimit të të drejtave të njeriut të personave të burgosur.
Ibrahim Makolli përfaqësues i këtij Këshilli thotë se përkundër kërkesave që të vizitohen qendrat e paraburgimit dhe ato të burgimit në Kosovë, kjo deri më tani nuk i është lejuar përfaqësuesve të këtij Këshilli dhe sipas tij, kjo paraqet cënim të rëndë të Konventës Evropiane për parandalimin e torturës.
“Përkundër kërkesave të vazhdueshme që kemi bërë për të pasur qasje në këto burgje dhe mos lejimit, kemi konsideruar se trajtimi i të burgosurve nuk është në nivel me nevojën dhe kërkesat, sikurse që nuk është edhe në nivel me vetë Konventën për parandalimin e torturës. Ne kemi theksuar disa herë se për tu afruar te standardet ndërkombëtare për personat e privuar nga liria, duhet të ketë një reformim të thellë të sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe sidomos sistemit të burgjeve në Kosovë. Këto të fundit edhe më tutje nuk po ofrojnë kushte të trajtimit human të të burgosurve”, tha zoti Makolli.
Sidoqoftë, zoti Makolli shtoi se nevojitet një transparencë më e madhe dhe të lejohet qasja në qendrat e paraburgimit dhe burgjet e Kosovës edhe e organizatave vendore për të drejtat e njeriut si dhe inspektimi nga ana e tyre, në mënyrë që të monitorohet gjendja e përgjithshme dhe të drejtat e personave të burgosur në Kosovë.

Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG