Ndërlidhjet

VËSHTIRËSOHET FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE NË KOSOVË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Situata energjetike në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë dhe me kufizime të gjata të furnizimit me rrymë elektrike.
Në Korporatën Energjetike të Kosovës thonë se kjo korporatë po përballet me vështirësi të mëdha, të cilat po shkaktohen gjatë prodhimit të rrymës.

Zëdhënësi i kësaj korporate Nezir Sinani tha se aktualisht në prodhim janë vetëm 300 MWh energji elektrike.Zoti Sinani ndërkaq nuk dha ndonjë hollësi për kohëzgjatjen e reduktimeve, por tha se përpjekjet janë duke vazhduar për ta përmirësuar gjendjen, posaçërisht për kategorinë A, e cila përfshin konsumatorët, të cilët e paguajnë rregullisht rrymën e shpenzuar.

"Sot në punë KEK-u ka njësinë A3 të termocentralit Kosova A, njësinë B2 të termocentralit Kosova B, me një përmirësim të dukshëm në prodhimin e njësisë B2, në ndryshim nga dita e djeshme. Furnizmi në orët e mëngjesit nuk ka qenë i ndryshëm nga dita e djeshme, mirëpo pas orës 10 ka filluar një përmirësim në furnizim sipas kategorive", tha zoti Sinani.

Por zëvendësministri për Energjetikë dhe Miniera, Agron Dida, thotë se shkaktari kryesor për gjendjen e krijuar është teknologjia e stërvjetëruar e Korporatës Energjetike të Kosovës. Sipas tij, derisa të vazhdohet me këtë teknologji, nuk mund të garantohet stabiliteti i energjisë elektrike.

"Besueshmëria e pajisjeve është në nivel mjaft të ulët. Mund të ndodhë shumë lehtë kjo që po ndodh tani që dy blloqe përnjëherë dalin jashtë planifikimit të asaj çfarë është e paraparë, domethënë të dalin jashtë përdorimit", tha zoti Dida.

Përveç kësaj zoti Dida tha se në aspektin e përgjithshëm nuk mund të anashkalohet mossuksesi i menaxhmentit të KEK-ut.
"Natyrisht nuk mund të mohohet edhe përgjegjësia e menaxhmentit të KEK-ut. Kjo është me të vërtetë një gjë që duhet ta pranojmë", tha zoti Dida.

Dhe në fund gjithë këtë situatë vazhdon ta rëndojë dhe mospagesa e rrymës së shpenzuar nga konsumatorët thotë zëvendësministri Dida.
"Shumë është vështirë në këtë situatë. Unë do ta shfrytëzoja rastin që të apeloj tek qytetarët pa marë parasysh që është një situatë e rëndë, që të paguajnë obligimet e veta. Pa para, pa u paguar energjia, pasi inkasimi i energjisë nuk është në nivelin e duhur akoma, nuk mund të kemi një KEK më stabil për nga aspekti i gjenerimit dhe shpërndarjes së energjisë", tha Agron Dida.

Ndryshe zëdhënësi i KEK-ut, Nezir Sinani, tha se përmirësimi i situatës aktuale do të varet nga suksesi i përpjekjeve për të importuar rrymë nga vendet e rajonit. Edhe pse zoti Sinani tha se një gjë e tillë do të jetë e vështirë për t'u arritur, meqë vendet e rajonit e kanë shitur rrymën për vendet bregdetare.

"Jemi duke tentuar që të sigurojmë edhe një import shtesë. Nëse arrihet kjo atëhere do të ketë përmirësim që sot, nëse jo, përmirësimi i plotë ndoshta ndihet vetëm nesër në mbrëmje, në orët e vona, kur njësia B1, është paraparë të kthehet në punë", tha zoti Sinani.

Sidoqoftë prej pesë ditësh situata energjetike në Kosovë është përkeqësuar dhe gjendja më e rëndë mbretëron posaçërisht në zonat rurale, prej nga njoftohet se furnizimi me rrymë është i mundur vetëm me nga 2 orë në ditë.



XS
SM
MD
LG