Ndërlidhjet

TRAFIKIMI I FEMRAVE MBETET PROBLEM SERIOZ


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Në studimin e fundit të fondacionit për fëmijë të Kombeve të Bashkuara UNICEF, një vajzë 16 vjeçare ka rrëfyer se për shkak të dhunës nga babai i saj, kishte vendosur të largohej nga shtëpia dhe të punonte nëpër bare dhe motele, së bashku me vajza të tjera nga Moldavia dhe Bullgaria. Për pak kohë ajo është shndërruar në prostitutë.

Arbina Kuriu nga UNICEF-i thotë se trafikimi i vajzave të mitura për shfrytëzim seksual është gjithnjë dhe në rritje. Vetëm në vitin 2005 janë evidentuar 50 raste të viktimave, që kanë ushtruar prostitucionin. Ajo tha se në dallim nga vitet e kaluara Kosova është bërë vend origjinë për trafikimin e qënieve njerëzore, kryesisht vajza nën moshën 18 vjeçare.

"Trafikimi në Kosovë ekziston që pas luftës. Janë shënuar një numër shumë i madh i rasteve të trafikimit me qënie njerëzore, të femrave kryesisht dhe ky numër kryesisht ka ardhur nga vendet e Evropës Juglindore. Mirëpo ajo që vërehet vitin e fundit është se po ndryshojnë trendet. Është zvogëluar numri i femrave që po trafikohen nga vendet e Evropës Juglindore, ndërsa është në rritje trafikimi i brendshëm, domethënë i viktimave vendore brenda për brenda Kosovës", thotë zonja Kuriu.

Zonja Kuriu pohon se viktimat potenciale të trafikimit janë vajzat që jetojnë në kushte të vështira ekonomike, por edhe ato që kanë përjetuar dhunë fizike dhe psiqike nga anëtarët e familjes së tyre.

" Ka raste kur ka keqtrajtime psiqike. Sidomos për fëmijët e moshave më të rritura zakonisht po ushtrohet dhuna psiqike, më konkretisht tek vajzat. Në moshën më të hershme zakonisht më e përhapur është dhuna fizike për të disiplinuar fëmijët, kurse në moshën më të vonshme është dhuna psiqike, ofendime të ndryshme, trajtim jodinjitoz, etj", thotë Arbina Kuriu.

Ajo ndër të tjera tërheq vërejtjen se viktima potenciale të trafikimit mund të jenë edhe fëmijë të cilët shfrytëzohen për qëllime të tjera, posaçërisht për punë.
"Mirëpo nuk përjashtohet mundësia që të trafikohen edhe për arsye të tjera, për shembull për lypje ose për punë. Kështu që nuk është çudi që mund të ketë elemente të shfrytëzimit edhe në këto raste. Por ende nuk kemi të dhëna të argumentuara në lidhje me këtë," tha zonja Kuriu.

Problem në këtë fushë mbetet mungesa e përkrahjes afatgjate dhe mbikqyrja e vazhdueshme e viktimave të trafikimit, të cilat janë ribashkuar me familjet e tyre. Kjo thuhet se duhet të jetë prioritet sepse këto vajza janë në rrezik të madh të ritrafikimit.
Sidoqoftë me gjithë studimet që janë ribërë deri më tani, të dhënat e sakta për vajzat që ushtrojnë prostitucion nuk dihen, për faktin se viktimat fshihen pas identitetit të rrejshëm të femrave të moshës madhore.

XS
SM
MD
LG