Ndërlidhjet

I. HASANI: KOSOVA DO TË JETË SHTET DEMOKRATIK DHE MULTIETNIK


Ismajl Hasani, analist politik dhe profesor universitar në Norvegji

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, së fundi në Vjenë janë hapur bisedime edhe për të drejtat e pakicave, ndërkohë që kjo fushë llogaritet si fusha qendrore në diskutimet për statusin. Si e vlerësoni këtë fushë diskutimesh?

ISMAJL HASANI
Takimi i fundit në Vjenë lidhur me të drejtat e pakicave, përktësisht të komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë, hyn në pakon e bisedave që janë në rrjedhë lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës dhe është krejt normale që zyra e Ahtisarit është shumë e interesuar që në bashkëpunim me faktorin vendor, përkatësisht me negociatorët kosovarë, të detajojë të gjithë pakon e të drejtave të pakicave, përkatësisht ta kristalizojë ofertën e sinqertë të lidershipit kosovar lidhur me atë se çfarë u ofrohet të gjitha komuniteteve, posaçërisht komunitetit serb, pasi komuniteti serb ndihet më i kërcënuar në epilogun e statusit të Kosovës, domethënë pas njohjes ndërkombëtare të Kosovës si shtet i pavarur.
Është krejt normale që faktori ndërkombëtar është në kërkim të garancive që pala kosovare është e gatshme të ofrojë dhe përfundimisht delegacioni kosovar dorëzoi pakon e premtimeve dhe të garancive lidhur me njohjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe në këtë kontekst, edhe të komunitetit serb në Kosovën e ardhshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, sipas jush si duhet trajtuar komuniteti serb në Kosovë, meqë serbët e Kosovës konsiderojnë se nuk mund të flitet për ta si pakicë, por si popull konstituiv?

ISMAJL HASANI
Në të gjitha shoqëritë e organizuara, në të gjitha shoëritë normale, diskriminimi pozitiv është diçka që u bën keq komuniteteve. Serbëve në Kosovë, pjesës së mbetur të tyre dhe atyre që kanë pretendime të sinqerta që të kthehen dhe ta vazhojnë jetën e tyre në Kosovë, u duhet sqaruar njëherë e përgjithmonë se ata duhet të pushojnë së bashkëjetuari me filozofinë e diskriminimit pozotiv në Kosovë, për shkak se platforma që ka ofruar delegacioni kosovar për garancitë për të drejtat e komuniteteve etnike në Kosovë është bazë e mjaftueshme me të cilën ata mund të jetojnë në mënyrë të rehatshme në Kosovë, mund ta ndiejnë veten të qetë.
Tek e fundit serbët në Kosovë kanë provuar edhe më parë se si mund të jetohet me shqiptarët, në kohën kur nuk kishte ngatërresa të mëdha, por kishte vetëm keqkuptime. Tani, kur faktori kosovar, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar ofron garanci dhe marrim parasysh edhe kontekstin e sigurisë, praninë e faktorit ndërkombëtar, pa mëdyshje është diçka normale që serbët duhet më në fund të ndërgjegjësohen dhe ta kuptojnë se po lind një realitet i ri në Kosovë, që krijon mundësi të mjaftueshme për ta ndier veten të qetë në Kosovën e re.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë që me fundin e vitit po afrohet edhe zgjidhja për statusin, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë. A mund të ketë implikime në fushë të sigurisë, sidomos në pjesën veriore, ku tashmë janë përforcuar trupat ndërkombëtare?

ISMAJL HASANI
Ngatërresat ballkanike janë diçka e natyrshme dhe janë pjesë e jetës sonë dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Në këtë kontekst unë e shoh edhe mundësinë jo të trazirave të përmasave të mëdha, por shoh mundësinë e lëvizjeve të ndryshme, të cilat janë rezultat i pakënaqësive të qarqeve të ndryshme militariste kryesisht nga komuniteti serb, domethënë të atyre që Kosovën nuk e kanë për zemër, por që Kosovën përpiqen ta shfrytëzojnë si mjet për ta manipuluar opinionin serb, për të manipuluar edhe politikën serbe, ose në instancën e fundit për të ushqyer radikalizmin serb.
Në këtë kontekst ekziston mundësia e përplasjeve të ndryshme, ekziston edhe mundësia e shqetësimeve të ndryshme që mund të ndodhin në veriun e Kosovës. Duhet pasur parasysh se faktori ndërkombëtar është këtu, SHPK është këtu, mekanizmat e tjera që monitorojnë situatën janë këtu, dhe nuk ka arsye për ndonjë panik të veçantë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund ta pengojnë procesin e jetësimit të statusit shqetësimet për sigurinë në veri?

ISMAJL HASANI
Absolutisht, statusi përfundimtar i Kosovës dhe projekti për Kosovën e ardhshme si shtet demokratik në të cilin ofrohen garanci të plota për të gjithë njerëzit, në të cilin do të ndërtohet një shoqëri, do të thosha, me kualitete të reja, nuk mund të shikohet në kontekstin e asaj se çfarë në të vërtetë mund të ndodhë në Kosovë.
Ekziston mundësia që në mënyrë sporadike të ketë shqetësime dhe trazira të përmasave të vogla, lëvizje të ndryshme. Si në çdo shoqëri që është në lëvizje e sipër, ku proceset janë në lëvizje e sipër, këto janë normale, por në asnjë mënyrë nuk mund ta kërcënojnë projektin për Kosovën shtet demokratik dhe në kuptimin e plotë të fjalës shtet multietnik, sepse ky është një koncesion që pala kosovare, përkatësisht shqiptarët, i bëjnë jo vetëm serbëve, por edhe faktorit ndërkombëtar. Pra këto probleme nuk mund ta kërcënojnë projektin për Kosovën si shtet demokratik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, si e vlerësoni dinamikën e bisedimeve për statusin që aktualisht po zhvillohen paralelisht edhe për çështje të veçanta, edhe për vetë statusit?

ISMAJL HASANI
Unë mendoj se çështjet duhen ndarë. Nuk është e mundur që të zhvillohen paralelisht me atë dinamikën që ka paraparë zyra e Ahtisarit lidhur me limitimin e një kohe që do të jetë fundi i bisedave lidhur me statusin. Unë konsideroj se pjesa tjetër, çështjet e natyrës teknike, do të jenë në proces dhe ato nuk ka mundësi të përfundojnë me afatin e limituar, pasi bashkësia ndërkombëtare dhe faktorët e tjerë të involvuar në problemet për statusin, e kanë agjendën e tyre dhe detyrimet e tyre.
Çështjet e tjera të natyrës teknike janë çështje të tjera që mbeten në proces dhe duhet të vazhdojnë, sepse në instancën e fundit, një Kosovë e pavarur, një projekt i tillë, një ndërmarrje e tillë e re, ia vlen të merret në proces në detajimin e çështjeve teknike që janë të lidhura me periudhën pas statusit të Kosovës. Do të thotë, ne do të mund të bisedojmë në raportet e një fqinjësie, e cila pretendohet të jetë një fqinjësi normale me Serbinë në të ardhmen dhe çështjet e tjera teknike të rrjedhin në proces edhe në periudhën pas statusit të Kosovës.

Intervistoi Rrahman Paçarizi



XS
SM
MD
LG