Ndërlidhjet

A.ÇEKU: JANË PËRMBUSHUR 5 NGA 13 PIKAT E GRUPIT TË KONTAKTIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës kanë përmbushur tashmë gati gjysmën prej 13 pikave të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit për t’u përmbushur nga institucionet e Kosovës deri në tetor, tha sot kryeministri i Kosovës Agim Çeku, pas një takimi me shefat e zyrave të vendeve të Grupit të Kontaktit në Prishtinë.

Kryeministri Çeku tha se e kishte thirrur këtë takim me përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, për t’i njoftuar ata lidhur me përmbushjen e standardeve, e sidomos me 13 pikat e përcaktuara së fundi nga Grupi i Kontaktit:

"Pesë nga këto 13 pika janë të realizuara plotësisht, ndërsa të tjerat janë në realizim e sipër dhe mbetemi në qëndrimin se deri në tetor besojmë se do t’i përmbushim të gjitha," tha kryeministri Çeku, sipas të cilit edhe përmbushja e standardeve për Kosovën po shkon mirë dhe vlerësimi teknik që është bërë është pozitiv dhe konstaton një përparim që është bërë në fushën e jetësimit të standardeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare për institucionet e Kosovës.

Kryeministri Çeku tha se qeveria e tij beson që edhe Këshilli i Sigurimit do të vlerësojë pozitivisht raportin e përmbushjes së standardeve. Ai tha se institucionet e Kosovës përmbushjen e standardeve e kanë organizuar në atë mënyrë që kjo të jetë një detyrë e vazhdueshme:

"I informuam po ashtu edhe për aprovimin e planit aksional të veprimit për partneritetin evropian, për mekanizmat që do t’i ndërtojmë për zbatimin e këtij projekti dhe që standardet tashmë janë pjesë e një dokumenti të vetëm që quhet plani i veprimit për partneritet evropian", tha kryeministri Çeku.

Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow tha se Grupi i Kontaktit është i kënaqur nga puna e deritashme, por kjo duhet të vazhdohet:
"Ne të gjithë u pajtuam se është bërë shumë, por ende mbetet për t’u bërë dhe e inkurajuam kryeministrin dhe gjithë institucionet, që të kryejnë edhe punën e mbetur për standardet," tha shefja e zyrës amerikane, Tina Kaidanow.

Ajo tha se anëtarët e Grupit të Kontaktit do të bashkëpunojnë edhe më shumë me kryeministrin për të përmbushur standardet dhe veprime të tjera që janë të rëndësishme për një qeverisje të mirë. Tina Kaidanow tha se zyra amerikane dhe vendet anëtare të Grupit të Kontaktit, besojnë se qeveria do të përmbushë deri në tetor që është afati i përcaktuar për standardet, të 13 pikat e Grupit të Kontaktit në mënyrë pragmatike dhe realiste.

Kryeministri Çeku nga ana e tij tha se i kishte njoftuar përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit edhe lidhur me veprimet që po bëhen në fushën e të drejtave dhe integrimit të pakicave. Kosova do të jetë vend edhe i tyre, ku ata do të mund të kenë një jetë të dinjitetshme dhe plotësisht normale për të realizuar të drejtat e tyre, jo vetëm njerëzore, por edhe të komunitetit, tha ndër të tjera kryeministri i Kosovës, Agim Çeku.



XS
SM
MD
LG