Ndërlidhjet

SHQIPTARËT DHE SERBËT MBËSHTESIN QËNDRIMIN E RUECKER-IT PËR MOSNDARJEN E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shqiptarët dhe serbët në Kosovë e kanë mbështetur qëndrimin e shefit të ri të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Joachim Ruecker, i cili në takimin e parë me gazetarët në këtë cilësi tha se është kundër ndarjes së Kosovës dhe se do të mbështesë përpjekjet e institucioneve për integrimin e veriut të Kosovës.

Lulzim Peci analist politik, i cili kohët e fundit bashkë me institutin e tij KIPRED ka punuar edhe në sektorin e shqyrtimit të sigurisë së brendshme, tha se integrimi i vërtetë i takon një faze pas zgjidhjes së statusit:

"Unë besoj se integrimi i vërtetë brenda strukturës institucionale të Kosovës i veriut, nuk do të bëhet gjatë mandatit të UNMIK-ut, por do të jetë pjesë e pas statusit të Kosovës," tha zoti Peci, sipas të cilit, integrimi nuk ka gjasë të bëhet as menjëherë pas statusit, pasi gjendja në veri kërkon një administrim të përkohshëm ndërkombëtar disavjeçar, që do të mundësonte integrimin e mëvonshëm të mirëfilltë të kësaj pjese në institucionet e Kosovës dhe në jetën e përgjithshme në Kosovë.

Ndërkaq, Rangjel Nojkiq, nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë tha për radion Evropa e Lirë, se mbështet qëndrimin e zotit Ruecker kundër ndarjes:

"Unë plotësisht e mbështes deklaratën e zotit Ruecker, si dhe deklaratat shumë të qarta të Grupit të Kontaktit kundër ndarjes së Kosovës," tha zoti Nojkiq, duke mbështetur edhe veprimet e fundit të pranisë ushtarake dhe civile ndërkombëtare në Kosovë për të shtuar masat e sigurisë në veri:

"Unë mendoj se është mirë që në pjesën veriore të Kosovës ka përforcim të trupave të sigurisë në mënyrë që të sigurohet kontroll i plotë i funksionimit të pjesës veriore," tha Rangjel Nojkiq. Sipas tij, përforcimi i trupave është dashur të ndodhte edhe më herët, pasi tashmë po shihen disa efekte të caktuara të këtyre veprimeve, meqë kohët e fundit nuk ka pasur incidente në pjesën veriore.

Mirëpo, zoti Lulzim Peci mendon se integrimi i veriut shikuar nga aspekti i sigurisë atje, varet në masë të madhe nga statusi i ardhshëm i pranisë jocivile ndërkombëtare në Kosovë, pasi situata e sotme e sigurisë nuk do të jetë e njëjtë me situatën e pas statusit:

"Se si do të menaxhohet situata e sigurisë atje, varet pikësëpari nga mandati i ri i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe e dyta nga mandati i KFOR-it apo forcave të tjera të sigurisë të bashkësisë ndërkombëtare për menaxhimin e kësaj çështjeje në pjesën e veriut", tha zoti Lulzim Peci, ndërkohë që shqetësimet për sigurinë në pjesën veriore aktualisht varen nga presionet politike dhe nga një gjakftohtësi e përgjithshme:

"Rreziku është permanent, por se si do të zhvillohen ngjarjet varet nga presionet politike dhe të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa në anën tonë është me rëndësi që politikanët dhe popullata të mos i kontribuojnë eskalimit të situatës".

Zoti Peci tha se edhe nëse ndodh ndonjë situatë e eskalimit, pala shqiptare nuk duhet ta përqafojë atë dhe ta bëjë edhe pjesën tjetër të eskalimit.




XS
SM
MD
LG