Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS HEDHIN POSHTË AKUZAT E BEOGRADIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Lista Serbe për Kosovën e Metohinë nuk është palë negociuese për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por ka legjitimitetin e përfaqësuesit të vetëm të serbëve të Kosovës në raport me pushtetin qendror të Kosovës, thonë zyrtarët e Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë, duke iu përgjigjur akuzave nga Beogradi, pas takimeve që kanë pasur me kryenegociatorin e Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.

Udhëheqësi i Listës serbe, Oliver Ivanoviq, thotë se nuk ka dilemë që Lista Serbe nuk është pala negociuese:
"Ne e kemi sqaruar këtë me zotin Ahtisari - nuk jemi palë negociuese, nuk marrim pjesë në negociata, por vetëm ofrojmë shërbime të mira dhe për ne është me rëndësi që decentralizimi të mos politizohet, por të bëhet sipas masës së njeriut," tha Ivanoviq, duke shpjeguar se propozimet e tyre për decentralizimin janë vlerësuar pozitivisht nga zyra e Ahtisarit dhe nga vendet anëtare të Grupit të Kontaktit.

Dragisha Kërstoviq, deputet i Listës Serbe, thotë se legjitimitetit i subjektit që ai përfaqëson është i pakontestueshëm:
"Lista Serbe është entiteti i vetëm politik që është legjitim në raport me pushettin qendror në Kosovë, por nuk ka dyshim as për legjitimitetin e atyre subjekteve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale," tha Kërstoviq.

Zoti Ivanoviq thotë se është e vërtetë se deputeti i Listës Serbe, Goran Bogdanoviq është në ekipin negociues të Serbisë, mirëpo jo si përfaqësues i Listës, por i partisë së cilës i takon:
"Goran Bogdanoviq ka shkuar sipas vijës partiake, por Lista Serbe i ka dhënë mbështetje dhe ai është përpjekur të përcjellë qëndrimet tona, por nuk jam i sigurt se ka pasur sukses," tha Ivanoviq, sipas të cilit konstelacioni është i tillë që më shumë ka të bëjë me qëndrimet partiake, sesa me ato të përgjithshmet, e aq më pak me pikëpamjet e serbëve të Kosovës.

Kërstoviq thotë se ekziston një pajtim i heshtur për pjesëmarrjen e Bogdanoviqit në ekipin negociues të Serbisë dhe ai ka edhe legjitimitetin e Listës Serbe:
"E gjitha është pak a shumë çështje e një dakordimi të heshtur," tha Kërstoviq.

Duke komentuar pohimet e këshilltarit të kryeministrit të Serbisë, Slobodan Samarxhiq, se përmes bisedimeve me përfaqësuesit e Listës Serbe, Ahtisari po përpiqet të gjejë dikë që është më i butë në kërkesa dhe me të cilin mund të bëhet kompromis, Kërstoviq thotë:

"Unë e di që Lista Serbe është pragamtike dhe pikënisjet i ka realiste në raport me gjendjen, pra nga diçka që në këtë moment është realisht e mundshme," tha Kërstoviq, ndërsa zoti Ivanoviq mendon se përfaqësuesit e listës janë njerëz më të fortë:

"Ne jemi njerëz më të qëndrueshëm, pasi ne e dimë se çka do të thotë secili gabim, ndryshe nga zoti Samarxhiq, i cili për këto çështje mendon vetëm teoretikisht," tha Ivanoviq.

Përfaqësuesit e Listës Serbe ia kanë dorëzuar propozimin e tyre për decentralizimin edhe ekipit të Beogradit edhe zyrës së të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisari, me të cilin kanë biseduar dje po lidhur me këtë çështje.


XS
SM
MD
LG