Ndërlidhjet

RADA TRAJKOVIQ: POPULLI SHQIPTAR DHE AI SERB MERITOJNË NJË PAQE TË VËRTETË


Intervistë me zonjën Rada Trajkoviq, njëra nga lideret serbe në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, si e vlerësoni ju idenë për ndarjen e Kosovës të deklaruar ditët e fundit edhe nga zonja Sanda Rashkoviq-Iviq?

RADA TRAJKOVIQ
Unë mendoj përgjithësisht se ndarjet dhe ndryshimi i kufijve paraqesin diçka që për mua është krejtësisht e papranueshme. Mendoj se ideja është shumë e rrezikshme në këtë moment, pasi në një mënyrë legjitimon spastrimin etnik të serbëve nga hapësirat e Kosovës dhe në anën tjetër amniston në njëfarë mënyre ata që kanë marrë pjesë në përzënien e serbëve nga Kosova. Serbëve të përzënë në atë mënyrë u merret e drejta e kthimit dhe ata që ndodhen poshtë Ibrit janë të parapërcaktuar që ta braktisin këtë hapësirë. Mendoj se kjo zgjidhje para së gjithash nuk u konvenon serbëve dhe njëkohësisht mendoj se hapësira e Kosovës vërtet duhet të jetë një hapësirë që në njëfarë mënyre do të jetë funksionale për të gjitha bashkësitë që jetojnë këtu dhe njerëzit përgjegjës duhet të gjejnë përgjigjen për këtë çështje. Mua më duhet të them se çështja e Kosovë është edhe çështje serbe edhe çështje shqiptare, edhe çështje maqedone edhe çështje e stabilitetit të Bosnjë Hercegovinë dhe aktivizim i çështjes serbe në Bosnjë e Hercegovinë, prandaj mendoj se këto gjëra janë shumë të rrezikshme. Ndërkaq, nga perspektiva e të rinjëve, pavarësisht se cilit nacionalitet i takojnë, mendoj se është ide krejtësisht retrogarde, për arsye se do të ndodhte një rikompozim në këto hapësira dhe stabiliteti e paqja për këto hapësira do të ishin çështje që do t’i takonte të ardhmes së largët për të rinjtë dhe një gjë e largët për funksionim dhe ekzistencë normale.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i sapozgjedhur i UNMIK-ut Joakim Ruecker ka deklaruar se do të mbështesë institucionet e Kosovës në përpjekjet për të integruar serbët dhe pjesën veriore në institucionet dhe jetën politike të Kosovës. Sipas jush, sa është e mundur një gjë e tillë?

RADA TRAJKOVIQ
Unë para së gjithash mendoj se nëse dëshironi t’i mbroni të drejtat e një populli dhe të një bashkësie dhe të ndikoni mbi atë që është territor i Kosovës nëse të gjithë flasim për atë se kjo hapësirë është serbe apo që ne e përjetojmë në mënyrë të tillë, atëherë duhet të marrim pjesë edhe në punën e institucioneve dhe të veprojmë nga brenda. Problemi është se edhe serbët dhe shqiptarët, periodikisht, varësisht se kush mbizotëron në pushtet, ka një pamundësi ose një parim që ka vlente deri tash, sipas të cilit ai që është në pushtet nuk lë hapësirë për funksionim normal të bashkësisë tjetër. Prandaj, një kohë kemi pasur situatën kur shqiptarët i kanë braktisur institucionet dhe kanë bërë institucione paralele, pasi nuk kanë mundur t’i përmbushin të drejtat dhe interesat e popullit të tyre përmes atyre institucioneve. Tash, situata është e tillë që kemi shqiptarët që mbizotërojnë në pushtet dhe kemi pamundësinë apo mosekzistimin e mekanizmave institucionale përmes të të cilave serbët do të realizonin nevojat e tyre. Gjithsesi duhet të gjejmë një përgjigje për mundësinë e veprimit edhe të shqiptarëve edhe të serbëve përmes atyre institucioneve, e kjo nënkupton mekanizma institucionale për mbrojtjen e çështjeve të rëndësissë strategjike përmes të cilave mund të zgjidhin çështjet dhe presim që bashkësia ndërkombëtare të ketë mirëkuptim që të na mundësojë ato mekanizma për të qenë pjesë e atyre institucioneve.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, sa është i realizueshëm integrimi i pjesës veriore dhe i serbëve të Kosovës në institucione dhe në jetën politike të Kosovës?

RADA TRAJKOVIQ
Po ju e dini që të gjithë ata kanë dalë në zgjedhjet lokale. Vetë dalja në zgjedhjet lokale tregon se veriu është orientuar kah dalja në zgjedhjet e shpallura nga qeveria e Kosovës dhe ju e dini se edhe UNMIK-u është kulmi për të gjithë dhe sapo ata kanë dalë në këto zgjedhje, ata në njëfarë mënyre, e kanë pranuar legjitimitetin e këtyre institucioneve që funksionojnë këtu dhe po ashtu ka serbë që janë aktivë në institucionet e sigurisë. Kur shihen të gjitha këto bashkë nuk duhen edhe shumë përpjekje për ta realizuar projektin që do të nënkuptonte integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ne duhet ta kuptojmë se gjithsesi duhet të jemi pjesë e atyre institucioneve, por e them edhe një herë, me mekanizmat përmes të të cilëve mund të përfaqësojmë dhe mbrojmë zgjedhësit tanë të cilët na mbështesin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, burime të ndryshme thonë se janë para përfundimit bisedimet për decentralizimin dhe çështjet e tjera teknike. A e shihni ju mundësinë e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për këto çështje?

RADA TRAJKOVIQ
Së pari më duhet të them se më vjen keq që shumë shpesh mund të dëgjoni se udhëheqja institucionale e Kosovës dhe udhëheqja politike më shumë ka mbështetje retorike për mbetjen e serbëve në Kosovë, sesa që dëshiron të bëjë diçka konkrete që do të nënkuptonte mundësi institucionale të ekzistencës në këto hapësira. Sa herë flas me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, unë gjithmonë them se serbëve u duhet ajo që nuk i rrezikon shqiptarët dhe që njëkohësisht mundëson ekzistencën tonë në këto hapësira. Në këtë kontekst, unë pres nga njerëzit përgjegjës, e të tillë gjithsesi ka te secili popull, që ta mbështesin procesin e decentralizimit dhe do të gjejnë zgjidhje adekuate pasi të gjitha i kemi provuar dhe të gjitha kanë qenë të këqija, edhe për njërin edhe për popullin tjetër, përveç kompromisit dhe marrëveshjes, prandaj është rendi që njerëzit përgjegjës të flasin dhe të merren vesh dhe në këtë kontekst unë pres që ata, që ia duan të mirën popullit, që edhe njëra edhe pala tjetër do të krijojnë një atmosferë nga e cila në fund të fundit do të rezultojë një marrëveshje e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Muajt e fundit është folur shumë për nevojën për kompromis për statusin. Cila do të ishte sipas jush zgjidhja e kompromisit për statusin e Kosovës?

RADA TRAJKOVIQ
Ndodhemi në një periudhë mjaft të vështirë dhe shumë shpesh mund të dëgjoni fatkeqësisht nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare se nëse Beogradi nuk e pranon pavarësinë, atëherë në një mënyrë do të ketë vrasjen e serbëve si dëm kolateral. Domethënë, statusi për jetën e serbëve. Mendoj se kjo është e pakuptimtë dhe një floskulë anticivilizuese, pasi mendoj që, nga ana tjetër, të gjithë flasin se si do të reagojnë serbët e Kosovës në rast të shpalljes së statusit, i cili do të ishte në funksion të ndarjes së Kosovës nga Serbia. Druaj se më pak do të kishte probleme me serbët e Kosovës, ndërsa problemi më i madh do të ishin serbët në Serbi, pasi ata do të jenë të frustruar për shkak të marrjes së asaj që të gjithë ne e përjetojmë si identitet tonin. Në këto rrethana mendoj se nuk duhet të ngutemi me rastin e përcaktimit të statusit të Kosovës, por duhen dhënë zgjidhje që do të jenë zgjidhje ose kornizë brenda të cilave funksionon bashkësia ndërkombëtare dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ky është respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit në njërën anë dhe shkalla e lartë e autonomisë në anën tjetër. Ju e dini që zoti Samarxhiq në Bruksel ka ofruar statusin separat për Kosovën me garancitë e bashkësisë ndërkombëtare që përfundimisht nuk rrezikon dhe nuk ndërhyn në të drejtat e shqiptarëve. Kjo në një mënyrë do të qetësonte edhe njërën edhe palën tjetër, madje edhe pjesën më të fortë dhe do të ofronte diçka që do të ishte paqe në këto hapësira. Edhe populli shqiptar, edhe nënat shqiptare, edhe populli serb, edhe nënat serbe mendoj se më së shumti duan që fëmijët e tyre të mos shkojnë më në luftë, pasi kjo popullatë përfundimisht ka merituar që të ketë një paqe të vërtetë dhe kjo paqe nënkupton gjetjen e një zgjidhje të mirë dhe civilizuese, por për këtë duhen njerëz të përgjegjshëm dhe të mençur nga të dyja palët. Më duhet ta them edhe këtë, jam shumë e pikëlluar por kam edhe frikë se para ambasadave dhe zyrave të huaja, edhe në Prishtinë edhe në Beograd, ka shumë të rinjë dhe mund t’ju them se ajo është madje pjesa më e mençur e brezit të ri që po ikën dhe kjo nuk është mirë për të ardhmen, jo vetëm të dy popujve por edhe për të ardhmen e gjithë rajonit.
Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG