Ndërlidhjet

ÇËSHTJA E TE PAGJETURËVE VAZHDON TË NDËRLIKOHET


Albana Isufi, Prishtinë

Çështja e të pagjeturve sipas ekspertëve dhe organizatave përkatëse nuk ka gjasa që të zgjidhet shpejt, por në periudhën në vijim vetëm se do të komplikohet më shumë.

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka organizuar një tryezë, për të parë mundësitë dhe veprimet që duhen ndërmarrë në të ardhmen për të zbardhur fatin e me shumë se 2 000 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kreu i këtij këshilli Pajazit Nushi, është skeptik se të zhdukurit mund të gjenden ende të gjallë.
“Nga numri i të pagjeturve nuk ka më njeri të gjallë, privatisht le të gjurmojnë ata që kanë mundësi të gjurmojnë. Ne si grup edhe si këshill, i besojmë kësaj deklarate të qeverisë serbe, por i besojmë derisa të gjejmë eshtrat e njeriut të fundit të zhdukur. Por nga përvojat e deritashme, 7 vjet dhe të mos gjendet njeri prej 2 000-3 000 vetave, të çon një lajm vetë direkt, këtë më nuk jemi në gjendje ta besojmë dhe ta marrim si argument se ka individë të gjallë”, tha zoti Nushi.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës Zejnullah Gruda, thotë se pavarësisht përpjekjeve të institucioneve kosovare, por edhe atyre ndërkombëtare, problemi i të pagjeturve do të ekzistojë edhe për një kohë të gjatë.

“Problemi, pa marrë parasysh se çka kemi për të bërë ne, ka për të ekzistuar edhe për një kohë të gjatë, dhe ne nuk do të mund ta përmbyllim edhe për një kohë të gjatë. Siç po shihet nga shumë shembuj, ata që këto i kanë bërë, definitivisht nuk lejojnë që t’i zbardhin për shkak të përgjegjësive se janë marrë njerëzit pa faj”, thotë zoti Gruda.

Ndërkaq, eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili ka qenë i përfshirë deri tani pothuajse në të gjitha proceset, që kanë pasur të bëjnë me gjetjen dhe kthimin e kufomave nga varrezat masive në Serbi, thotë se problematika e të pagjeturve ka filluar të kompleksohet më shumë.

“Problemet e mbledhura më herët d.m.th. mospërputhjet e mostrave të gjakut, të ADN-së me eshtrat, pra problematika tani fillon të zgjerohet. Nuk është ky proces i përfunduar, procesi përfundon me gjetjen e kufomës së fundit, por është mjaft skeptike se a do të gjinden ato ndonjëherë, sidomos në rastet kur kemi informata për djegien e tyre”.

Kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut Pajazit Nushi, thotë se tani është koha që të gjithë të fokusohen në gjetjen e iniciativave dhe veprimeve të reja ,që do të mund të çonin në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

“Me çfarë aktesh të reja të paraqitemi në këtë situatë, a kemi ndonjë veprim të ri që mendoni ju që ka vend të paraqitet edhe që inkuadrohet në procesin e negociatave me palën serbe?”, thotë zoti Nushi.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Zejnullah Gruda thotë se duhet miratuar një ligj special që do të rregullonte çështjen e të pagjeturve. Ndërkaq i nevojshëm sipas tij do të ishte edhe krijimi i një instituti, i cili do të përmblidhte të gjitha institucionet relevante.
“Nëse do të kishim p.sh një institut për personat e zhdukur, unë e kam llogaritur se do të ishte zgjidhje e mirë, që do ishte i pavarur dhe do ishte bankë e të dhënave, me të cilin do të ishin të lidhur plot institucione të tjera”, thotë zoti Gruda.

Prishtina dhe Beogradi kanë mbajtur një sërë takimesh mbi zbardhjet e fatit të të zhdukurve, nga të cilat nuk ka rrjedhur ndonjë progres i madh. Zëvendës kryesuesi i grupit punues për të zhdukurit, Bertrand Kern, thotë se çështja thelbësore aktualisht është gjetja e informacioneve te reja për fatin e personave të zhdukur apo vendbanimeve eventuale që mund të përmbajnë varreza masive. Ai ka thënë se u mbetet shumë që të bëjnë të gjitha institucioneve, sidomos atyre ndërkombëtare, por pa përjashtuar në këtë mes as vetë qytetarët.

“Por, une jam i bindur se qytetarët e këtij vendi, por edhe të Serbisë, mund dhe duhet të kontribuojnë në këtë çështje. Po ashtu është shumë me rëndësi që të punohet më shumë në nevojat dhe statusin e familjeve të të pagjeturve”, tha Kern.

Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Kosovë si të pagjetur figurojnë edhe më tej 2268 persona.

XS
SM
MD
LG