Ndërlidhjet

GJENERALI ROLAND KATHER MERR KOMANDËN E KFOR-IT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

KFOR-i do të vazhdojë të garantojë mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, thanë sot udhëheqës të lartë të NATO-s, në ceremoninë e ndërrimit të komandës së forcës paqeruajtëse.

Komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Harry Ulrich tha se në kohën e negociatave për statusin e Kosovës, NATO-ja nuk do të lejojë kurrfarë dhune në Kosovë dhe do të mbështesë procesin negociues:

"Përmes pjesëmarrjes në Grupin e Kontaktit, NATO-ja do të mbështesë procesin për statusin, të udhëhequr nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari," tha admirali Ulrich, sipas të cilit kur statusi të zgjidhet, atëherë NATO-ja do të vazhdojë të kontribuojë për mjedis të sigurt në të ardhmen.

Admirali Ulrich kërkoi që në Kosovë të ndërtohet një shoqëri demokratike ku sundon ligji dhe respektohen të drejtat e të gjithëve. Ai tha se KFOR-i do të vazhdojë të transformohet, por roli i forcës paqeruajtëse do të varet nga rezultati i negociatave për statusin:

"Ende është e paqartë se si do të ndryshojë misioni i KFOR-it. Duhet ta dimë statusin para se të marrim vendime të tillë," tha admirali Ulrich, duke shtuar se NATO-ja po mendon për këtë gjë, por ende nuk është marrë vendimi.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili e dekori komandantin e derisotëm të KFOR-it, gjeneralin Giussepe Valotto me medaljen e artë ushtarake, përsëriti qëndrimin dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtetin e pavarur dhe sovran. Ai ka çmuar angazhimin e KFOR-it dhe është zotuar për vazhdim të partneritetit:

"Me kënaqësi të madhe e çmoj punën shumë të vyeshme dhe të profesionale që ka bërë KFOR-i këtu nën udhëheqjen e gjeneralit Valotto për të ofruar siguri fizike dhe psikologjike për popullin e Kosovës, në kohën kur po përcaktohet statusi i vendit tonë, që sigurisht se do të jetë pavarësia dhe sovraniteti, por duhet të përkujtojmë se ne duam pavarësi me standardet më të larta ndërkombëtare edhe për komunitetet pakicë", tha zoti Sejdiu.

Pas një viti në krye të KFOR-it, gjenerali Giussepe Valotto porositi qytetarët dhe liderët që të ndërtojnë të ardhmen evropiane, për hir të fëmijëve, siç u shpreh ai. Kosovarët janë popull i mirë dhe kanë vuajtur shumë. Sidoqoftë, nga këto vuajtje ata gjetën energji për të shikuar kah e ardhmja, duke i tejkaluar dallimet e së kaluarës për të ndërtuar të ardhme më të mirë për të gjithë e sidomos për fëmijët, tha gjenerali Valotto, ndërsa pasardhësi i tij, gjenerali gjerman Roland Kather në ditën e parë në krye të forcës paqeruajtëse prej rreth 17 mijë ushtarësh, tha se KFOR-i do të vazhdojë angazhimin për të mirën e qytetarëve:

"Do të bëjmë çmos që të sigurojmë të ardhme të mirë për këtë vend, prandaj motoja për këtë vit do të jetë “ta formësojmë të ardhmen”, tha gjenerali Roland Kather.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, pos zyrtarëve më të lartë ndërkombëtarë e vendorë, morën pjesë edhe ministrat e mbrojtjes të Italisë e Gjermanisë. Gjenerali Kather, i cili gjatë viteve 1999 dhe 2000 ka udhëhequr forcat gjermane në Brigadën Shumëkombëshe të Jugut,është gjermani i tretë në krye të KFOR-it që nga viti 1999.

XS
SM
MD
LG