Ndërlidhjet

KUPCHAN:"NDARJA E KOSOVËS - HAPJE E KUTISË SË PANDORËS"


Charles KUPCHAN, analist për Ballkanin në Universitetin Georgetown /Washington/

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni pozicionin e udhëheqjes serbe në raport me bisedimet për statusin e Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Liderët politikë të Serbisë e dijnë se epilogu përfundimtar i bisedimeve për Kosovën sipas të gjitha gjasave do të jetë një lloj pavarësie, përkatësisht pavarësi e kushtëzuar, që do të zgjatë një kohë. Rezultati përfundimtar do të jetë shkëputja e teritorit të Kosovës nga sovraniteti i Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse elita politike serbe nuk përgatitë për këtë zhvillim opinionin e brendshëm?

CHARLES KUPCHAN
Do të ishte vetëvrasje politike për liderët serbë të thonë – në rregull Kosova mund të shkoi. Askush nuk dëshiron të mbajë përgjegjësinë për këtë. Nga ana tjetër Beogradi konsideron se ky pozicion shton gjasat e shkëputjes së veriut të Kosovës. Kjo sipas të gjitha gjasave nuk do të realizohet, por Beogradi me pozicionin aktual shton ndikimin e vetë në procesin e bisedimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë nuk përjashtojnë mundësinë e ndarjes së Kosovës. Cili është qëndrimi i juaj?

CHARLES KUPCHAN
Kjo çështje ende është temë tabu. Ajo që mund të them është se në bisedimet joformale ekzistojnë qarqe, të cilave u takojë edhe unë, që konsiderojnë se nuk është mirë që opcioni i ndarjes është përjashtuar. Unë nuk mbështesë fare idenë e ndarjes së Kosovës, por mendoj se ajo nuk është dashur të përjashtohet. Së pari për faktin që ajo ndoshta do të kishte potencialin e arritjes së një kompromisi duke çuar drejt pavarësisë së Kosovës, por pa efekte destabilizuese. Së dyti, druaj se bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina nuk do të kenë durim, mjete dhe vendosmëri të mjaftueshme për të siguruar që pjesa veriore e Kosovës vërtetë të integrohet në Kosovën e pavarur. Në terma praktike dhe në bazë të gjendjes faktike në teren kjo pjesë e Kosovës në masë të madhe është pjesë e Serbisë. Shikoni infrastrukturën, telekomunikacionin, shëndetësinë, arsimin...madje megjithë rezolutën e Kombeve të Bashkuara edhe forcat e sigurimit të Serbisë operojnë në veri të Kosovës. Mendoj se nuk urtësi që bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina me presion të fusin veriun e Kosovës në një Kosovë të ardhshme të pavarur, nëse nuk janë të gatshme të bëjnë krejt ç'është e mundur që ta integrojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a do të pajtoheshin shqiptarët e Kosovës me një zgjidhje të tillë?

CHARLES KUPCHAN
Shqiptarët nuk do të ishin të lumtur me një epilog të tillë. Por, ka zëra që thonë se në një moment, në kohën e kryeministrit Xhingjiq, në bisedimet e Prishtinës dhe Beogradit është diskutuar mundësia e ndarjes dhe se disa elemente të udhëheqjes kosovare nuk kanë qenë kundër këtij opcioni. Një nga rreziqet e hapjes së këtij opcioni është kërkesa e Prishtinës për kompenzim me Luginën e Preshevës, gjë që do të hapte kutinë e Pandorës. Rrjedhimisht, mendoj se nuk do duhej hapur mundësia e këmbimeve të mëdha teritoriale, madje edhe nëse opcioni i ndarjes do të ishte në tryezën e bisedimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë efektet e zgjidhjes së çështjes së Kosovës për rajonin në tërësi?

CHARLES KUPCHAN
Në planin afatshkutër mund të ketë destabilizim, por në planin afatgjatë gjërat do të shkojnë në drejtim të stabilizimit. Them se në fillim në rajon do të ketë destabilizim, sepse presë të ballafaqohemi me një valë të nacionalizmit në Serbi. Do të rritet mbështetja për nacionalistët radikalë. Por, kjo do të zgjatë fare shkurt dhe me kohë do të kuptohet se programi i nacionalistëve ekstrem çon Serbinë në drejtim të gabuar.
Në Kosovë statusi do të thotë stabilizim i rrethanave politike dhe sinjal që bashkësia ndërkombëtare të filloj investimet në këtë rajon. Zgjidhja e statusit gjithashtu do të çoi drejt opcioneve më të matura politike në mesin e shqiptarëve dhe heshtjes së zërave ekstremistë. Mund të ndodhë që shumë serbë që kanë mbetur në Kosovë, pas zgjidhjes së statusit, të vendosin të largohen, por për faktin që pavarësia e kushtëzuar do të sjellë opcione më të matura politike në skenën kosovare, mbase do të filloi vendosja e frymës multietnike që do të ishte mirë për gjithë rajonin.

B. TRIVIC

XS
SM
MD
LG