Ndërlidhjet

PROBLEMET SOCIALE DHE E ARDHMJA E PAQARTË PREOKUPOJNË BANORËT E BABIMOCIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në fshatin Babimoc, pas vitit 1999 dhe jetës si refugjatë, me iniciativë vetiake apo në mënyrë të organizuar, janë kthyer disa familje serbe.

Në mesin e tyre është edhe familja Miliq, e cila që prej se është kthyer në vitin 2001 përballet me probleme të ndryshme. Liljana Miliq, burri i saj, dy fëmijë dhe vjehrri jetojnë në një shtëpi të adaptuar për të kthyerit, të cilën e kanë marrë si donacion me rastin e kthimit. Ajo thotë se fshati i ka të gjitha parakushtet që të zhvillohet si një vend, që do të mundësonte ekzistencën e komunitetit serb, por paraprakisht duhet të zgjidhen shumë probleme:

"Ata që për herë të parë vijnë në këtë fshat, thonë se është i ndërtuar mirë. Por, krejt çka shihet është ndërtuar para luftës, përveç shtëpive për të kthyerit," thotë Liljana.

Fshati etnikisht i përzier i Babimocit ndodhet në gjysmë e rrugës ndërmjet Prishtinës dhe Mitrovicës. Rreth 900 serbë dhe 250 shqiptarë jetojnë ndaras. Serbët e kanë shkollën e tyre fillore dhe një ambulancë. Ata thonë se deri tash ka pasur pak probleme ndëretnike, por vazhdon përballja me probleme të tjera jetësore.
Përveç problemit të të zhvendosurve, në këtë fshat mbretëron papunësi e madhe, pasi rreth 80 përqind e punëtorëve të dikurshëm të KEK-ut, tani janë pa punë:

"Fatkeqësisht, njerëzit kanë mbetur pa punë me një pagë minimale për ata që kanë punuar në KEK dhe kjo shumë është prej 40 deri 50 euro," thotë Liljana Miliq, duke shpjeguar se shumica e banorëve merren me prodhimin e kulturave bujqësore, që është njëkohësisht edhe burim i të ardhurave të tyre.

Fshati ka rreth 50 të rinj që janë të brengosur për të ardhmen e tyre. Nenad Miliq shkon në klasën e tretë të shkollës së mesme të mjekësisë në fshatin Plemetin dhe mendon të bëhet mjek. Ai thotë se fshati nuk u ofron mjaft të rinjve, ndërsa lëvizja bëhet me përcjelljen e policisë:

"Ne të rinjtë që jemi në fshat shoqërohemi dhe ka këtu edhe një kafateri ku dalim. Nuk kemi liri të mjaftueshme të lëvizjes, pasi në shkollë shkojmë me autobus, të përcjellë nga Shërbimi Policor i Kosovës," thotë Nenad Miliq.

Banorët thonë se menjëherë pas luftës rreth 40 përqind e serbëve e kanë braktisur fshatin. Ndërkohë, disa janë kthyer, por ka shumë që vijnë shpesh në fshat dhe e vizitojnë, rrinë një kohë dhe ikin prapë. Liljana thotë se ajo që më së shumti u duhet njerëzve për të qëndruar këtu është një perspektivë e qartë:

"Njerëzit janë kthyer, mirëpo situate e keqe ekonomike mund të ndikojë për migrime të reja," tha Liljana.

Banorët më të vjetër kryesisht nuk e kanë braktisur fshatin. Më së shumti merren me bujqësi dhe prodhimet e tyre i shesin në Mitrovicë ose në Graçanicë.

Bozhidar Miliq i cili deri në daljen në pension ka punuar në njësinë e zjarrfikësve në Obiliq, tani e punon tokën. Ai thotë se kumbullat kanë dhënë mjaft fryte dhe pret të pjekë rreth 100 litra raki.
Sidoqoftë, pas jetës si refugjatë, shumë të kthyer presin nga autoritetet përkatëse që t’u ofrojnë kushte për kthim, në mënyrë që të mund ta planifikojnë të ardhmen e tyre.



XS
SM
MD
LG