Ndërlidhjet

SI E SHOHIN BANORËT E MITROVICËS DECENTRALIZIMIN E QYTETIT?


Albana Isufi, Mitrovicë

Më shumë se 6 muaj kanë kaluar që kur kanë filluar bisedimet mbi decentralizimin në Vjenë, pjesë e të cilave bisedime ka qenë edhe reformimi i pushtetit lokal të Mitrovicës. Por, banorët e këtij qyteti dinë fare pak, apo aspak rreth këtij procesi.
Faton Jonuzi, një i ri nga pjesa jugore e Mitrovicës, ka përcjellë vazhdimisht takimet mes delegacionit të Prishtinës dhe atij të Beogradit në Vjenë. Por, ai thotë se ende nuk di se çfarë përmban plani i decentralizimit, i cili do të zbatohet në qytetin e tij.

“Me thënë të drejtën nuk di dhe aq, përveçse ç'kam dëgjuar prej televizionit pak a shumë. Diçka më konkrete nuk di. Më qartë jo", thotë Faton Jonuzi.

Refki Aliu kritikon mekanizmat qeveritarë që nuk kanë zhvilluar debate me qytetarët rreth së ardhmes së qytetit, të cilin lumi Ibër e ndan në pjesën jugore të banuar me shqiptarë dhe atë veriore të banuar me serbë.

“Për decentralizimin e komunës së Mitrovicës di vetëm atë ç'ka dëgjohet përmes mjeteve të informimit, nëpërmjet takimeve të grupit negociator. Por mendoj se institucioni, i cili është i propozuar, nuk jep zgjidhje dhe nuk jep siguri për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, por shkon në disfavor të shumicës, përkatësisht shumicës shqiptare", thotë Refki Aliu.

Qemal Çerkezi mendon se delegacionet në bisedimet e Vjenës mund të kenë arritur tashmë ndonjë marrëveshje, për të cilën qytetarët nuk janë në dijeni.

“Decentralizimi është diçka e mirë që duhet të jetë, por ne nuk kemi asgjë në dorë. Qysh ata veprojnë ne duhet të pajtohemi. Ata që janë në karrige të buta ata i dinë më së miri punët", tha Qemal Çerkezi.

Delegacioni i Kosoëvs ka propozuar që Mitrovica të funksionojë si një qytet me dy njësi komunale, të cilat do të mbikqyreshin nga një bord 7 anëtarësh, 3 përfaqësues shqiptarë, 3 serbë dhe kryetari ndërkombëtar i bordit.
Sabit Bilali thotë se ky plan do të funksionojë për aq kohë sa të ketë prani ndërkombëtare në Kosovë.

"Nëse ka mbikqyrje të veçantë, komuna që ka qenë e mëparshme, me siguri se suksesi nuk do të mungojë. Nëse shkojnë në një formë të decentralizimit në atë aspektin me një qëllim të caktuar për shembull për t'u ndarë, ajo është gabim edhe i atyre që udhëheqin, është gabim edhe i misionarëve për shembull evropianë", thotë Sabit Bilali.

Por, ndarja e qytetit në dy njësi komunale është e papranueshme për Nexhat Pllanën.
“Ne nuk na pëlqen fare. Ndërsa këta po vendosin vetë. Janë të inkuadruar në këtë punë dhe ata besoj që normal kanë dijeni për këtë punë. Çka është më mirë le të vendosin ata, ne s'mundemi të bëjmë kurrgjë tjetër. Më mirë kishte qënë të ishim si më parë një komunë dhe të funksiononim siç duhet, por tani kjo nuk po varet prej nesh", thotë Nexhat Pllana.

Ndërsa, Vlladmiri Kërstiç, nga pjesa veriore e Mitrovicës, thotë se statusi stabil i qytetit do të arrihet atëherë kur të ketë pajtim ndëretnik.
“Statusi i cilit do qytet në Kosovë mund të arrihet vetëm përmes pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve. Perspektivën e Mitrovicës në 10 vjetët e ardhshme unë e shoh si një vend të banuar me shumicë shqiptare dhe me dhjetëra serbë e boshnjakë”, thotë Kërstiç.

Rasim Hoxha është shumë pesimist, si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen e qytetit.
“Puna është që në të gjithë Kosovën vendi më i keq për ne shqiptarët është Mitrovica. Po më duket se këtu nuk ka për të patur gjë mirë për shumë vjet. Çfarë janë duke bërë tani? Asgjë. Asgjë nuk po bëjnë", thotë Rasim Hoxha.

Ndërsa Jelena Tomasheviç, nga pjesa veriore e Mitrovicës, nuk është e kënaqur me përbërjen e delegacionit serb.
“Nuk jam aspak e kënaqur me këto bisedime. Unë nuk e di se çfarë po bëjnë ata njerëz lart. Mendoj se neve si serbë të Kosovës ky delegacion nuk mund të na prezantojë. Nuk e di se kënd e përfaqëson ai delegacion, as se çfarë janë duke bërë. Si munden që njerëzit nga Serbia të dinë se si jetojnë serbët në Mitrovicë, në Shtërpcë, Gjilan apo në vendet e tjera”, thotë Tomasheviç.



XS
SM
MD
LG