Ndërlidhjet

REZOLUTA E OKB-SË QË E LË TË HAPUR STATUSIN, MUNDËSI E PRANUESHME


Opsioni i hapur për statusin në një rezolutë të ardhshme, do t’i ndihmojë bashkësisë ndërkombëtare që të zbusë dallimet e brendshme, ndërsa Prishtinës do t’i ndihmojë që të nisë procesin e pavarësisë dhe njëkohësisht do ta përmbushte kërkesën e Beogradit që Kosova të mos jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara, kanë thënë analistët në Prishtinë. Ata i kanë bërë këto vlerësime duke komentuar njoftimet gjithnjë e më të shpeshta në shtypin e Prishtinës dhe atë të Beogradit se Grupi i Kontaktit do ta lërë të hapur emërtimin për statusin e Kosovës, duke u lënë hapësirë vetë shteteve të ndryshme që ta njohin Kosovën si shtet të pavarur apo jo. Shkëlzen Maliqi, analist politik tha se një zgjidhje e tillë shmang mospajtimet dhe konfrontimet eventuale brenda vetë Grupit të Kontaktit:
"Kjo zgjidhje krijon mundësinë që edhe Rusia të votojë për rezolutën në të cilën nuk përmendet konkretisht pavarësia. Në anën tjetër ajo kënaq edhe kërkesën se rasti i Kosovës nuk mund të jetë precedent, nëse i lihet vetë vendeve që të vendosin."
Zoti Maliqi tha se disa vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë shfaqur gatishmëri për ta njohur pavarësinë e Kosovës.
Pas marsit të vitit të ardhshëm Këshilli i Sigurimit do të nxjerrë rezolutë të re në të cilën nuk do të përmendet Kosova si pjesë e Serbisë, por nuk do të përmendet as fjala pavarësi. Kështu planifikohet që të krijohet hapësira të cilën do të mund ta shfrytëzonin disa vende për ta njohur shtetin e pavarur të Kosovës, shkruajnë mediat.
Serbët e Kosovës mendojnë se zgjidhja e tillë do t’i mundësojë edhe njërës edhe palës tjetër që të luftojë për të drejtat e veta. Rangjel Nojkiq, një nga liderët e serbëve të Kosovës thotë se lënia hapur e mundësive për statusin e Kosovës do t’i mundësojë Serbisë të luftojë për sovranitetin e saj, ndërsa shqiptarëve të Kosovës mundësinë që të përpiqen për pavarësi:
"Për mua kjo është një paqartësi në kuptim të statusit përfundimtar, pa marrë parasysh se parashihet që disa vende do ta njohin njëanshëm Kosovën si shtet të pavarur", tha Nojkiq, duke e parë këtë mundësi për Serbinë që të luftojë për sovranitetin e saj.
Mirëpo, analisti dhe publicisti nga Prishtina Baton Haxhiu, beson se nuk do të ketë një rezolutë të tillë. Ai beson se qysh në hapjen e punimeve të asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në gjysmën e dytë të shtatorit do të përcaktohet dinamika dhe formulimi për statusin e ardhshëm të Kosovës:
"Aty realisht do të përcaktohet saktë ajo që quhet definim i fjalisë dhe rezolutës për të ardhmen e Kosovës, që pritet të përfundojë diku prej 20 deri 25 dhjetor dhe në atë rezolutë do të jetë një fjali që e përcakton të ardhmen e Kosovës. Fjalia afërsisht, nëse mund të parafrazoj kësisoj do të jetë se “Kosova do të jetë shtet i pavarur nga Serbia, nën sovranitetin e BE-së”.
Sipas zotit Haxhiu kjo fjali nuk do të thotë se ia jep shtetin sovran Kosovës, por realisht Kosovën do ta pavarësojë nga Serbia, por jo nga Bashkimi Evropian. Haxhiu mendon se dinamika e zhvillimit ekonomik do të jetë çështje kryesore e të ardhmes, ku Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara janë treguar të ngathta, meqë në Kosovë të ardhurat për kokë banori janë shtatë herë më të vogla se në vendet e rajonit.
Mirëpo, zgjidhja që lë mundësi të hapura sipas zotit Maliqi përmbush kërkesat e Prishtinës, meqë mundëson instalimin e instrumenteve për një shtet praktikisht të pavarur.
Sa i përket Beogradit, një kërkesë e tij mund të përmbushet, por Beogradi nuk mund të jetë plotësisht i kënaqur nga kjo zgjidhje, thotë Maliqi:
"Në bazë të zgjidhjes së propozuar, Kosova nuk mund të jetë anëtare e OKB-së, që është një prej kërkesave të Serbisë. Mirëpo, ajo nuk mund të jetë e kënaqur, pasi shumë shtete, në mesin e të cilave edhe superfuqitë si Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do ta njohin shtetin e Kosovës", thotë zoti Shkëlzen Maliqi
Në anën tjetër, serbët e Kosovës shpresojnë se bashkësia ndërkombëtare në periudhën e ardhshme do të insistojë te liderët e Kosovës që të mbrojnë dhe garantojnë të drejtat e bashkësive etnike.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG