Ndërlidhjet

FËMIJËT TË PËRFSHIRË NË PUNË TË RËNDA FIZIKE DHE SHFRYTËZIM SEKSUAL


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Enveri 17 vjeçar nga Prishtina, tash e katër vjet me rradhë bredh rrugëve të kryeqytetit për të shitur cigare. AI thotë se kushtet e vështira ekonomike e kanë detyruar që të punojë dhe kujdeset për tetë anëtarët e familjes së tij.

"Vallai shumë pak mjaftojnë. Të kisha një punë tjetër kisha punuar, por meqënëse s'ka tjetër duhet kështu pune, pasi as ne nuk na pëlqen të bëjmë këtë punë", thotë Enveri.

Por nuk është vetëm Enveri që është i detyruar të punojë, megjithëse të dhënat në këtë kuadër ende mungojnë.
Donjeta Salihu, nxënëse e klasës së shtatë në shkollën fillore Pjetër Bogdani në Prishtinë, njeh shumë fëmijë të lagjes, të cilët punojnë nëpër rrugë.

"Ka raste që shumë fëmijë, të cilët jetojnë në gjendje sociale jo të mirë, punojnë nëpër rrugë, e mbi të gjitha edhe gjëra të vështira, siç janë bartja me karrocë, e shumë gjëra të cilat rrezikojnë shëndetin e tyre", thotë Donjeta Salihu.

Pikërisht për këtë çështje, Komiteti Kosovar për Parandalimin dhe Eliminimin e Punës së Fëmijëve, që funksionon në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Mirëqënie Sociale, sot ka prezantuar një projekt për monitorimin e punës së fëmijëve.

Mustafë Garaj nga kjo ministri dha se qëllimi i monitorimit të punës së fëmijëve është identifikimi, tërheqja dhe mbrojtja e fëmijëve nga format e rrezikshme të punës.
"Ajo që është me rëndësi dhe që po e përmend tani është që ne do të përpiqemi shumë që fëmijët që bëjnë punë të rënda dhe të rrezikshme, t'i trajtojmë me urgjencë dhe në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme, sepse punët e rënda dhe të rrezikshme janë ato që prodhojnë etikën negative më shumë dhe pastaj ne jemi në pozitën si të thuash të të akuzuarve, sepse nuk kemi qenë të përgjegjshëm për fëmijët", thotë zoti Mustafë Garaj.

Nurie Kelmendi, kryetare e grupit punues për monitorimin e punës së fëmijëve, ndërkaq thotë se në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë, një numër i madh i fëmijëve nën moshën 15 vjeç, janë të detyruar të punojnë punë të rënda fizike. Disa prej tyre madje i janë nënshtruar edhe shfrytëzimit seksual.

"Fëmijët janë të përfshirë në të gjitha fushat, në të gjitha sferat. NE kemi bërë testime në fëmijë që bëjnë punë në rrugë, në bujqësi, në depo të mëdha dhe në disa sektore të tjera. Këta fëmijë janë të tërhequr edhe në shfrytëzime të ndryshme, për shembull shfrytëzime seksuale, shfrytëzime për pornografi etj", thotë zonja Kelmendi.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut u ka tërhequr vëmendjen institucioneve vendore që puna e fëmijëve rrezikon të ardhmen e tyre.
Ibrahim Akolli nga ky këshill, thotë se puna që bëjnë këta fëmi duhet patjetër të mbahet nën kontroll.

"Kosova edhe më tutje është në përpjekje për të ndërtuar strategjitë efikase me të cilat në rradhë të parë do të luftonte faktorët që ndikojnë në punën e fëmijëve, dhe së dyti po ashtu edhe në trajtimin e tyre apo rikthimin e tyre në jetën normale, duke patur parasysh në radhë të parë rrezikshmërinë që paraqet, jo vetëm për të tashmen e fëmijëve por edhe sidomos për të ardhmen e tyre".

Puna e fëmijëve po ndikon shumë në mosarsimimin e tyre thotë Lirie Rexhepi, nxënëse në shkollën fillore "Iliria". Ajo thotë se kjo është arsyeja kryesore, pse institucionet vendore duhet të merren më seriozisht me këtë çështje.

"Mësimi është i rrezikuar shumë, sepse atë kohë që duhet ta shpenzojnë për mësime, e shpenzojnë duke u munduar të punojnë që të fitojnë diçka dhe jo duke mësuar," thotë Lirie Rexhepi.

Sidoqoftë Ministria për Punë dhe Çështje Sociale, së bashku me pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës, gjatë muajve të verës ka bërë përpjekje që të largojë fëmijët që punojnë nëpër rrugë, por rezultatet në këtë drejtim kanë qenë të pakta.

XS
SM
MD
LG