Ndërlidhjet

DEKLARATA KUNDËRTHËNËSE NGA KOMISIONI I KUVENDIT TË KOSOVËS PËR KOMUNITETE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryetari i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe për Kthimin në Kuvendin e Kosovës, Rangjel Nojkiq, ka pohuar sot se ky komision ka vendosur që në emër të komuniteteve, të kërkojë largimin e përfaqësuesve të bashkësive etnike nga Këshilli Konsultativ për Komunitetet, në kuadër të delegacionit të Kosovës për statusin.

Mirëpo në anën tjetër, deputetë të tjerë në këtë komision, kanë pohuar se ky është një qëndrim i përfaqësuesit të Listës Serbe, Rangjel Nojkiq dhe jo i tërë komisionit parlamentar.

Sidoqoftë Nojkiq tha se Lista serbe si dhe komunitetet e tjera, nuk pajtohen që përfaqësuesit e shumicës t'i prezantojnë pikëpamjet e tyre për të drejtat e komuniteteve, në kuadër të bisedimeve në Vjenë. Për këtë arsye, sipas tij, Komisioni Parlamentar për Komunitete, nuk do të marrë më pjesë në takimet e Këshillit Konsultativ, në kuadër të delegacionit për statusin.

"Ishte konkludim i komisionit se interesat dhe kërkesat e komuniteteve nuk janë formuluar ashtu siç kanë kërkuar komunitetet," tha Nojkiq, duke shtuar se për këtë arsye, komunitetet në kuadër të parlamentit të Kosovës, kanë vendosur që të lëshojnë Këshillin Konsultativ në kuadër të ekipit negociues.

Ndonëse Nojkiq u angazhua që komunitetet në Kosovë të bojkotojnë delegacionin e Prishtinës për statusin, ndërkohë ai tha se Lista serbe, tashmë ka qëndrim që interesat e komunitetit serb t'i përfaqësojë vetëm Beogradi.

Mirëpo me qëndrimet e përfaqësuara sot nga Rangjel Nojkiq, në emër të Komisionit Parlamentar për Komunitetet, nuk është pajtuar anëtari i këtij komisioni Nait Hasani.
Ai tha se komisioni parlamentar në fjalë nuk ka votuar dhe nuk ka marrë asnjë vendim që të bojkotojë delegacionin për statusin, dhe se ky ishte një vendim i dy deputetëve të këtij komisioni.

"Nuk ka patur mundësi që të votohet, nga 13 anëtarë vetëm 2 apo tre kanë votuar, kështu që ai nuk ka qenë votim i rregullt dhe nuk është e logjikshme që ata ta marrin një vendim të tillë. Deklaratat e kryetarit të Komisionit Rangjel Nojkiq, janë të pabaza dhe të pavërteta dhe shtojnë të këqijat", thotë deputeti Hasani.

Po ashtu dhe deputeti Sabit Rrahmani, nga Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës, tha se Komisioni Parlamentar ku ai kishte marrë pjesë, nuk kishte vendosur që të bojkotojë punën e Këshillit Konsultativ të Komuniteteve. Ai tha se komuniteti ashkali në Kosovë i përkrah bisedimet dhe ekipin e unitetit.

"Nuk është e vërtetë që unë jam tërhequr personalisht, apo që do tërhiqem nga Këshilli Konsultativ i Komuniteteve. Tërheqja e minoritarëve nga ky këshill do ta pengonte procesin nëpër të cilin po kalon Kosova. Ne jemi të kënaqur me punën e grupit të unitetit dhe mendoj që Kosova është duke ecur drejt rrugës së vet për ndërtimin e shtetit demokratik. Të gjitha minoritetet do ta gëzojnë demokracinë siç është kudo tjetër në botë", tha deputeti ashkali Sabit Rrahmani.

Ndryshe, përfaqësuesi i Listës serbe, Rangjel Nojkiq, tha po ashtu se kjo parti politike do të vazhdojë të bojkotojë institucionet dhe të mos marrë pjesë në punën e institucioneve parlamentare, kurse lidhur me negociatat, serbët e Kosovës tha ai, kanë mendim se vetëm Beogradi mund t'i përfaqësojë interesat e tyre.



XS
SM
MD
LG