Ndërlidhjet

KEK-U PËRGËNJESHTRON LISTËN E PAGAVE TË MENAXHERËVE TË PARAQITUR NGA SINDIKATA


Albana Isufi, Prishtinë

Zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës e kanë quajtur listën e publikuar nga ana e sindikalistëve të KEK-ut rreth pagave të menaxherëve të kësaj kompanie, si jashtë institucionale dhe me të dhëna të manipuluara. Ata kanë thënë se pagat e menaxherëve, të cilat sipas listës, shkojnë deri në 4 mijë euro, janë tejet të ekzagjeruara.

Zëdhënësja e KEK-ut, Donika Kadaj shpjegon:
“Pagat e punonjësve të KEK-ut, përfshirë menaxhmentin, janë në përputhje të plotë me nivelin e lejuar për ndërmarrjet publike dhe në asnjë rast nuk tejkalojnë limitet e caktuara me rregullore për ndërmarrjet publike”, thotë zonja Kadaj.

Ditë më parë kryetari i Sindikatës së Pavarur të KEK-ut, Lazer Krasniqi, ka publikuar një listë me pagat e menaxhmentit të KEK-ut. Sipas kësaj liste menaxherët e KEK-ut përveç pagave bazë marrin edhe beneficione të tjera për të arritur shumën e përgjithshme të një page në afro 4000 Euro. Krasniqi thotë se lista përmban të dhëna të sakta:
“Ajo është lista, e cila ka dalë nga burimet njerëzore, është lista e KEK-ut, nuk është listë e imja apo e sindikatës", thotë zoti Krasniqi.

Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka pranuar të bëjë publike pagat e menaxherëve. Ndërkohë, që zotit Krasniqi ia kanë ndaluar hyrjen në objektet e KEK-ut. Për më tepër ata kanë kërcënuar se do të ndërmarrin masa juridike kundër tij.

“KEK-u ka filluar hetimin nëse lista e rrejshme, e publikuar me të dhëna të manipuluara, përbën një krim ekonomik, dhe, nëse rezultatet tregojnë që fjala është për një krim të tillë, KEK-u menjëherë do të fillojë procedurat juridike kundër personit në fjalë, duke angazhuar edhe Zyrën për Krime Ekonomike dhe Korrupsion të SHPK-së”, thotë zëdhënësja e KEK-ut.

Kryesindikalisti Krasniqi nuk i frikësohet kurrfarë ndjekeje juridike nga ana e udhëheqësve të KEK-ut.
“Kjo është hera e parë që po dëgjoj për këtë gjë. Unë kam patur me të gjithë probleme, duke filluar nga Milosheviqi dhe gjithmonë kam dalë fitues, prandaj nëse nisen ashtu me masa juridike, unë besoj se ata do të dalin humbës në rast se fillojnë", thotë zoti Krasniqi.

Publikimi i listës së pagave dhe përfitimeve të tjera të menaxhmentit të KEK-ut, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Kjo, pasi Korporata Energjetike e Kosovës, nga ekspertët ekonomikë konsiderohet si njëra nga kompanitë më të pasuksesshme në Kosovë, e cila edhe 7 vjet pas luftës nuk ka mundur që të përmirësojë furnizimin me energji elektrike ndaj konsumatorëve.


XS
SM
MD
LG