Ndërlidhjet

AHTISARI: "PAK KOHË DHE SHUMË PËR ZGJIDHJEN E STATUSIT"


Marti Ahtisari raporton para KS-së

Koha për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës është e kufizuar, por "nuk kam afate kohore fikse", është shprehur kryenegociatori Marti Ahtisari gjatë raportimit të tij të mbrëmshëm para Këshillit të Sigurimit.
"Kemi shumë punë për të bërë, por nuk kemi shumë kohë" ka thënë ish presidenti finlandez Marti Ahtisari për të shtuar se "do të hezitoja t'ju thosha një datë të saktë".
Ahtisari ka theksuar nevojën e bisedimeve të mëtejme me palët dhe ka vënë në dukje se të dyja palët, si Prishtina dhe Beogradi e kanë siguruar se nuk kanë ndër mend të tërhiqen nga bisedimet.
Duke folur për ecurinë e deritashme të bisedimeve Ahtisari tha se "do të ishim plotësisht të paralizuar nëse njerëzit do na thonin mos ndërmerrni këtë hap pasi do ketë pasojë në diçka tjetër".
Duke iu përgjigjur debateve për krahasimin e rastit të Kosovës me konfliktet në territoret e ish Bashkimit Sovjetik Ahtisari përsëriti se "Kosova është rast special", pasi historia e Kosovës ka qenë e ndryshme nga çdo konflikt në Ballkan apo Kaukaz.
Pas takimit në Këshillin e Sigruimit para mediave ka dalë dhe presidenti serb Boris Tadiç i cili deklaroi se "mund të jemi optimistë të matur. Situatën e ka ndërlikuar qëndrimi i disa vendeve të Grupit të Kontaktit. Ky qëndrim shkon nga pavarësia e kushtëzuar, të cilën ne e kundërshtojmë fuqimisht".
Lidhur me debatet e bëra gjatë seancës së mbyllur në Këshillin e Sigurimit agjencitë e lajmeve citojnë ministrin e jashtëm gjerman, Frank Valter Shtenmajer sipas të cilit "stabiliteti nuk mund të arrihet nëse merret parasysh vetëm vullneti i shumicës së popullsisë. Serbëve të Kosovës iu duhen garantuar masa të përshtatshme për mbrojtjen e pakicave".
Ndërsa ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, John Bolton tha se qëndrimi që mbeshtet vendi i tij është se populli në rajon "meriton ta ketë statusin e përcaktuar". "Ne mendojmë se pas 7 vjetësh pasiguri për Kosovën dhe popullin në Kosovë e në Serbi njerëzit e meritojnë t'u zgjidhet statusi", theksoi ambasadori amerikan Bollton gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurimit ku raportoi kryenegociatori Ahtisari për ecurinë e procesit të negociatave për statusin.

XS
SM
MD
LG